Nga Ylli Pata
Duket se në mjedisin e opinionit publik po përjetohet një handikap i çuditshëm. Ka një polarizim të madh mes palëve, thjesht e vetëm për efekt e interes së dy figurave politike që tashmë janë të “sëmurët terminal të tranzicionit shqiptar”.
Natyrisht që bëhet fjalë për Sali Berishën e Ilir Metën; të dy së bashku kanë qenë president e kryeministra, kryetar kuvendi dhe figurat që kanë mbizotëruar këto 30 vitet e tranzicionit shqiptar.
Të cilët kanë pasur zenithet por edhe problemet e mëdha gjatë qeverisjeve, por edhe kur nuk kanë qenë në pushtet. Por prej kohësh, më ekzaktësisht prej vitit 2016, Sali Berisha dhe Ilir Meta, i janë kundërvënë një aksioni që SHBA, BE, por edhe mazhoranca socialiste e Edi Ramës ndërmorrën për të ndryshuar apo reformuar drejtësinë në vend.
Një reformë thelbin e ka në vettingun e gjyqtarëve e prokurorëve të vjetër, Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, e natyrisht SPAK dhe Gjykatën Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dy institucione të posaçme që kanë për detyrë të merren me zyrtarët e lartë.
E së bashku me Berishën e Metën, këtë linjë e ka mbajtur edhe një enturazh mediatik në opinion, i cili e ka fryrë dhe polarizuar situatën në vend, duke sjellë si alternativë; ose rrëzimin e reformës në drejtësi, ose rrëzimin e Edi Ramës. E me këtë të dytën, menduan që të shpëtonin dhe nga e para.
E kështu u mbars për vite e vite, strategjia e konfrontimit apo e përplasjes që solli në fillim çadrën e më pas djegien e mandateve, bojkotin e zgjehdjeve vendore të 2019-s dhe dhunën para institucioneve. Dhunë që nuk erdhi vetëvetiu natyrisht por u frymëzua në panelet e darkës, pikërisht nga ata që sot bërtasin kundër ndëshkimit amerikan e britanik për Sali Berishën, apo edhe për daljen e dosjes së Ilir Metës.
Është një gjuhe e egër që bënte thirrje, por edhe bën xhanëm për një larje hesapesh “si në 97” me “kallash e me bomba”, me teoritë e “famshme” se “më mirë 3 banda se një bandë e vetme” etj.
E në këtë klimë polarizuese, jemi fiks si në fillimin e viteve 90, kur pushteti i PD-së dhe Sali Berishës polarizoi opinionin pas arrestimit të liderit të opozitës Fatos Nano. Shqipëria ishte e ndarë në dysh, e palët e lidhura me partitë kishin opinionet e tyre, kurse pjesa që është në mes kërkonte një zë më të balancuar, që të sillte një qasje më racionale dhe pa akuza e sharje. Ishte pikërisht në atë kohë, pikërisht në vitin 1993, kur erdhi në opinionin public shqiptar BBC në Shqip. E cila solli lajmin e balancuar alla bbc tipik anglez, por edhe analizën pa “libër shpie” siç e shikojmë çdo natë në panelet e darkës, ku duhet vënë që në fillim pulla e kuqe.
E këtë analizë e solli një gazetar e studiues me origjinë nga Hungaria që e njihte mirë Europën Lindore: Gabriel Partosh. “Bota që erdhi prej të ftohtit” e tij u bë në Shqipëri një best seller që në ditët e para të publikimit në shqip, por edhe analizat e tij shikoheshin nga palët e papërfshira në “përplasje” një mundësi për të kuptuar.
E sot kemi ardhur duket pikërisht në atë periudhë, ku Gabriel Partosh, pas 30 vjetësh, ka kthyer për opinionin publik shqiptar, analizat e tij të ftohta dhe racionale.
“Unë besoj se ka dy arsye kryesore që kanë motivuar vendimin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Së pari, qeveria donte të demonstronte angazhimin e saj për të luftuar korrupsionin. Së dyti. dhe besoj se ky ishte një motiv më i rëndësishëm në rastin e zotit Berisha, autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, ashtu si homologët e tyre amerikanë, besojnë se zoti Berisha është një forcë përçarëse në politikën shqiptare dhe në kontekstin më të gjerë rajonal. Ky vlerësim i zotit Berisha është thelluar që nga viti 2019 kur qasja e Partisë Demokratike u bë më konfrontuese me dorëheqjen e ligjvënësve të saj nga Parlamenti dhe bojkotimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor”, deklaroi Gabriel Partosh, i pyetur për non grata-n britanike të Sali Berishës.
Qëndrimi i tij është realisht një zë jashtë palëve në vend, e që nuk vjen nga qeveritë, por nga ajo pjesë e opinionit publik që nuk ka lidhje me zhvillimet tona. E thotë, sepse e shikon në bazë të të dhënave që ai ka dhe nuk janë të pakta.
Ka gjasa që as ky zë të mos sjellë një gjykim racional në atë pjesë agressive të mbrojtësve të Metës e Berishës, por realisht Partosh nuk flet për ta, por për pjesën që nuk është palë. Për atë pjesë që në çdo shoqëri konsiderohet si “jastëku” që shmang përplasjen e madhe.
E në fakt, këtu duket se synon lëvizja ndërkombëtare që nisi një vit më parë nga Uashingtoni për Sali Berishën për ta ndëshkuar atë, që u përforcua pak kohë më parë nga qeveria e Britanisë së Madhe. Një sinjal i qartë politik që e kanë izoluar totalisht atë, por edhe kolegun e tij politik Ilir Meta, sidomos pasi ka lënë presidencën. Kjo verë e vetmisë së madhe, është një sinjal politik i një vjeshte që duket se do të jetë krejt e ndryshme se ajo e një viti më parë, ku u tentua të bëhej lojë luftash…