Ministri i Jashtëm i Portugalisë, Joao Gomes Cravinho deklaroi sot se Portugalia mbështet procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Cravinho në konferencën e përbashkët me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh se është nder që të jetë ministri i parë i punëve të jashtme të vendeve të BE-së i cili viziton Tiranën pas konferencës së parë ndërqeveritare të 18-19 korrikut 2022.
“Shqipëria është vend kandidat prej vitesh por tani ka ardhur momenti kur janë çelur negociatat dhe do të fillojë procesi i skanimit dhe besoj se do të ketë një periudhë mjaft intensive, dialogu, punë dhe shkëmbimesh ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Portugalia është shumë mbështetëse për këtë proces pranimi dhe mezi presim që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane. Jemi të disponueshëm jo vetë sa i përket aspektit politik, por gjithashtu dhe në aspektin teknik. Ne e kemi kaluar procesin e anëtarësimit të vendit tonë që ka qenë një proces kompleks që ka kërkuar kohë por jam besimplotë se procesi i integrimit të Shqipërisë do të jetë i suksesshëm. Kështu edhe një herë më lejoni të them se do të keni mbështetjen tonë teknike kurdo që Shqipëria mendon se mbështetja jonë do të nevojitet”, tha ai.
Ai shtoi se kjo është një arsye tjetër për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
“Me Shqipërinë kemi miqësi të fortë, jemi të dy vende aleate në NATO, jemi gjithashtu edhe në kontekstin e BE-së që na sjellë së bashku, por marrëdhëniet dypalëshe janë më pak të konsoliduar sa duhet të ishin. Kështu që besoj se kemi shansin tashmë të krijojmë mundësinë që të ketë ndërveprime mes njerëzve dhe ndërmjet të dy popujve tanë sepse në fund të ditës marrëdhëniet dypalëshe kanë në thelb të tyre përmirësimin e lidhjeve mes popujve tanë. Pra duhet të shikojmë gjithashtu dhe instrumentet e nevojshme politike dhe diplomatike”, tha ai duke shprehur kënaqësinë për ftesën drejtuar ministres Xhaçka për vizitë në Portugali”, tha ai
Ministri Cravinho shtoi se u fol dhe për mundësinë e rritjes së ndërveprimeve në institucionet arsimore, në veçanti institucioneve të Arsimit të Lartë në vend dhe studentëve. Sigurisht, shtoi ai, dhe lidhjet ekonomike duhet të rriten. “Ato janë në një nivel të tillë që tregon se ka goxha potencial për zhvillim të mëtejshëm dhe mezi presim që këto marrëdhënie të mund të intensifikohen më tej”, tha ai.
Lidhur me kontekstin më të gjerë, Cravinho tha se lufta në Ukrainë kundërshtohet nga të dyja shtetet.
“Diskutuam dhe pasojat e një lufte të tillë në kuadrin evropian dhe në botën më të gjerë. Pra theksuam se ishte e rëndësishme që të merrnim një kuptim më të mirë të punës së Shqipërisë në kuadrin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kontributit që jep Shqipëria në OKB. Kjo përkon gjithashtu në një proces që ne e kemi kaluar me vende të tjera në botë. Pra kemi pika të përbashkëta, kemi mundësi të shumta për të rritur bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona dhe në emër të Portugalisë ka një manifestim të qartë të një kënaqësie të madhe. Është një moment historik i datës 19 korrik dhe mezi presim të vijohet me negociata intensive të Shqipërisë dhe BE-së në muajt në vijim”, përfundoi Cravinho.