Deputeti i Bundestagut gjerman në të njëjtën kohë edhe raporter për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Adis Ahmetoviç tha nga Tirana se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë hapjen e negociatave për integrimin në Bashkimin Europian.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të ecë në drejtim të Ballkanit Perëndimor.
“Së pari për të bërë liberalizimin e vizave për Kosovën. Mund të ndihmonim Malin e Zi të mbyllnin disa kapituj. E fundit, nuk mundëm të hidhnim hapin tjetër drejt anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet e meritojnë këtë hap dhe për këtë shkak unë vendosa të udhëtoj në Shqipëri për të bindur njerëzit për idenë e Bashkimit Europian.
Shqipëria është pjesë e BE dhe ju meritoni të jeni pjesë e BE. Ishin gabimet tona tre javë më parë. Megjithatë ka vend për optimizëm. Ju duhet të vazhdoni të jeni optimistë. Ne duhet të lëvizim në drejtimin tuaj sepse ju keni bërë shumë. Pas kësaj vizite në Shqipëri unë do të takohem me disa anëtarë të qeverisë të Maqedonisë së Veriut për të promovuar zgjidhje. Mund ta nisim me elemente teknike për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është një shenjë dhe sinjal i mirë edhe për vendet e tjera në rajon. Na duhet një Shqipëri dhe një Maqedoni e Veriut e fortë. Të mos flasim në këtë moment për ndarjen. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ecin së bashku”, theksoi Ahmetoviç.
Ai foli edhe për nismën Ballkani i Hapur dhe rolin e saj përballë Procesit të Berlinit.
“Kancelari Sholcz ka interes të madh për Ballkanin Perëndimor. Do të kemi këtë vit edhe një konferencë për Procesin e Berlinit. Ai është një mesazh për vendet e Ballkanit Perëndimor që Gjermania do të vazhdojë të ketë koordinimin mes të gjashta vendeve. Ideja e Ballkanit të Hapur është e mirë, por në krye të bashkëpunimit me të gjashta vendit kemi procesin e Berlinit. Është mirë të flasësh për Ballkanin e Hapur. Këtë vit kancelari do të zhvillojë një takim me të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Ballkani i Hapur është vetëm një element i procesit të Berlinit”, tha deputeti.