Formimi i një mazhorance të re qeverisëse italiane pas ofertës së kryeministrit Mario Draghi për dorëheqje përballet me probleme të shumta, paralajmëron ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio.
“Në këtë moment, mendoj se është e vështirë kur mendon të ribashkosh këtë shumicë”, u tha ai gazetarëve. Draghi ofroi dje dorëheqjen, pasi Lëvizja Pesë Yjet (L5Y) bojkotoi një votim që u pa si një votë besimi ndaj qeverisë.
Megjithatë, presidenti Sergio Mattarella refuzoi të pranonte dorëheqjen e ofruar të 74-vjeçarit. Draghi do të duhet të shpjegojë situatën në parlament të mërkurën e ardhshme dhe të gjejë një shumicë të re.
”Partitë, veçanërisht L5Y, tani e kanë atë në duart e tyre dhe duhet të tregojnë pjekuri”, tha Di Maio, i cili dikur ishte kreu i kësaj partie populiste. Së fundmi, ai dha dorëheqjen për shkak të një mosmarrëveshjeje të brendshme. Që atëherë ai ka udhëhequr një partinë e re ”Së bashku për të ardhmen”.
Sipas Di Maios, përparësia është marrja e masave kyçe politike përmes të cilave adresohen problemet e shkaktuara nga rritja e kostove të karburantit dhe energjisë dhe do të ndihmojnë vendin t’i mbijetojë krizës ekonomike.
“Megjithatë, mendoj se ka njerëz në krye që nuk e kanë kuptuar këtë”, shpjegoi ai.