Nga 1 qershori ka nisur lëshimi i kartave të tahografit me 60% ulje tarife, duke e ofruar 40 euro nga 100 euro që kushtonte.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor njoftoi sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se, karta e tahografit mund të merret për 10 ditë nga 30 ditë që vononte përpara, duke e shpejtuar procesin me 67% kursim kohe, falë rikonceptimit të shërbimit nga DPSHTRR Cetis.
Në muajin e parë të aplikimit të risive janë kryer 671 aplikime ose 227% më shumë se mesatarja mujore.
DPSHTRR theksoi se, 270 mijë euro i janë kursyer transportuesve rrugorë nga ulja drastike e tarifës dhe nga rritja e ditëve të punës (ulen ditët e pritjes pa kartë, pra pa punë) vetëm gjatë muajit të parë.
“Vizioni ynë është të ulim kostot për sektorët jetikë të transportit rrugor që janë shumë të ekspozuar me krizën globale të çmimeve që pason fazën e zgjatur të pandemisë nga Covid-19!”, theksoi DPSHTRR.