Nga Jonaid MYZYRI – Kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik – Fjala e mbajtur në Parlament gjatë raportimit të sotëm:
Paraqitja e raportit vjetor para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si dhe grupeve të interesit, nuk është thjesht një detyrim ligjor për institucionin e Komisionit të Prokurimit Publik. Ky raport është një mundësi për të analizuar në detaje punën e një viti, për të evidentuar problematikat, por mbi të gjitha, për të ndarë së bashku sfidat e sistemit të prokurimit publik për të ardhmen.
Viti 2021 ishte një vit shumë i rëndësishëm për sistemin e prokurimit publik në Shqipëri, veçanërisht në tri aspekte.
Së pari, viti që lamë pas ishte një vit shënues dhe kthese, për mënyrën e ofrimit të shërbimeve nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik. Projekti i digjitalizimit të plotë të shërbimeve, i nisur në vitin paraardhës, u arrit të finalizohej me sukses. Nga tetori i vitit të kaluar, të gjithë operatorët ekonomikë vendas dhe të huaj, kanë mundësinë të dorëzojnë elektronikisht ankesat dhe argumentet e tyre si dy shërbime të veçuara në platformën unike qeveritare E-Albania, duke zeruar kostot ekstra dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me çdo zyrë shteti, përfshirë dhe vetë Komisionin e Prokurimit Publik. Sistemi mundëson edhe nënshkrimin elektronik, duke shmangur nevojën e printimit të dokumenteve voluminoze dhe nënshkrimit të akteve, veprimtari e cila ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e mjedisit.
Sistemi shoqërohet me një faqe të re zyrtare të Komisionit të Prokurimit Publik, e cila mundëson aksesueshmëri të plotë të vendimmarrjes në tri regjistra publikë, atë të ankesave, vendimeve dhe historikut të vendimeve. Çdo subjekt i interesuar, jo vetëm që disponon informacion të plotë në lidhje me të gjithë veprimtarinë, por ka mundësi, që përmes motorëve të kërkimit të Smart Search, të kërkojë pa humbur kohë informacionin e nevojshëm.
Vizioni ynë ishte i qartë që në pikënisjen e tij. KPP-ja duhet të ofrojë informacion në kohë reale për të gjithë, duke përfshirë personat me aftësi të kufizuar në shikim: verbëri, verbëri ngjyrash, rezolucion të ulët në shikim. Një motor i posaçëm aksesimi është implementuar në faqen tonë zyrtare, shërbim i ofruar për herë të parë nga një institucion publik në Shqipëri.
Ne, jo vetëm që kemi vendosur të jemi transparentë, por nivelin e transparencës ta përkthejmë në standardin më të mirë ndërkombëtar që është sot për sot në fushën e prokurimeve, atë të Open Contracting Partnership.
Të vendosësh në standard të hapur të gjithë vendimmarrjen e institucionit nuk është e lehtë dhe jo të gjithë do të jenë të kënaqur, por ne jemi të ndërgjegjshëm, se kjo është rruga e vetme për institucionin e Komisionit të Prokurimit Publik: Të jetë i hapur, transparent dhe të mundësojë akses të plotë të veprimtarisë së tij.
Kjo reformë dhe kjo politikë kaq e rëndësishme publike, me një impakt të drejtpërdrejtë social në të gjitha grupet e interesit, nisur nga një institucion i vogël, por hallkë tepër e rëndësishme në zinxhirin e prokurimit, nuk do të kishte qenë kurrsesi e mundur pa mbështetjen e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Kësisoj, Shqipëria është kthyer në promotore të një standardi të ri të publikimit të veprimtarisë së organit shqyrtues të ankesave në rang rajonal dhe më gjerë.
Që në krye të herës jemi kujdesur, që ky sistem të ndërtohet në konsultim të përbashkët me biznesin, ndaj për më shumë se një muaj kemi qenë në çdo qark, për të trajnuar falas mbi 1000 operatorë ekonomikë dhe autoritete kontraktore, me mbi 24 orë trajnimi.
Reforma e digjitalizimit është ndërlidhur edhe me reformën e forcimit të kapaciteteve të institucionit të Komisionit të Prokurimit Publik. Në zbatim të rekomandimeve, si të Kuvendit të Shqipërisë ashtu edhe të Komisionit Europian, falë edhe mbështetjes së Kuvendit, KPP-ja në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, hartoi një kurrikul të posaçme trajnimi për zyrtarët e KPP-së. Për më shumë se 196 orë, stafi i Komisionit është trajnuar intensivisht nga pedagogët e tri fakulteteve kryesore në vend.
Gjithashtu, gjatë vitit që lamë pas, kemi dëgjuar edhe sugjerimet për përmirësimin e shqyrtimit të ankesave, me anë të konferencës së organizuar në nivel kombëtar, me më shumë se 70 autoritete kontraktore dhe operatorë ekonomikë.
Indikatorë të reformës së mësipërme kanë nisur tashmë të maten nga Komisioni i Prokurimit Publik në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare të fokusuara në transparencë në fushën e prokurimeve. Ndaj, shumë shpejt do të kemi mundësinë të ndajmë me Kuvendin, operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore, rezultatet e kësaj reforme në drejtim të rritjes së aksesit në ankim, rritjes së shpejtësisë në vendimmarrje, rezultatet e gjurmimit të problematikave falë digjitalizimit të shërbimeve. Kjo do t’i shërbejë edhe Kuvendit të Shqipërisë, që të ketë mundësi të evidentojë problematikat e ndryshme ligjore dhe të marrë masa për përmirësimin e tyre.
Së dyti, hyrja në fuqi e ligjit të ri për prokurimin publik, ka sjellë një moment të rëndësishëm për sistemin në tërësi. Ligji i ri ka sjellë ndryshime thelbësore materiale dhe procedurale, ndaj dhe përgjegjësia e Komisionit të Prokurimit Publik ka qenë edhe më e lartë në vendosjen e praktikave të konsoliduara, mbi trajtimin e çështjeve të reja për këtë institucion, në dhjetëvjeçarin e funksionimit të tij.
Risi e ligjit nuk është vetëm ndryshimi i procedurës së ankimit dhe të shqyrtimit, por edhe i krijimit të mekanizmave parandalues dhe kontrollues të mbrojtjes së integritetit të procedurave të prokurimit, masave të përgjithshme për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave, si edhe kriteret detyruese për skualifikim të operatorave ekonomikë.
Në lidhje me vendimmarrjen e Komisionit gjatë vitit të kaluar, ju informoj se:
Nga 5079 procedura të publikuara në Sistemin e Prokurimeve Elektronike gjatë vitit 2021, janë administruar 768 ankesa pranë Komisionit të Prokurimit Publik, nga të cilat, 3 prej tyre për procedura ankandi, 1 lidhur me lejet minerare, 2 ankesa në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe 762 për procedurat e prokurimit publik.
Në total pranë Komisionit të Prokurimit Publik, janë paraqitur ankesa për 566 procedura unike, ose për 9.2% të buxhetit të prokuruar në rang kombëtar.
Gjithashtu, me ndryshimet ligjore, operatorët ekonomikë legjitimohen për të paraqitur ankesë për herë të parë në dhjetë vitet e fundit pranë Komisionit të Prokurimit Publik edhe për procedurat e prokurimit me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.
Megjithëse, gjatë vitit 2021, janë publikuar 1361 procedura prokurimi më pak se në vitin 2020. Vihet re një rritje e lehtë e numrit të ankesave, të paraqitura pranë Komisionit të Prokurimit Publik, me 27 ankesa ose një rritje me 3.7 % të numrit të ankesave.
Rritja e numrit të ankesave pranë Komisionit të Prokurimit Publik, kryesisht lidhet me faktorin e ndryshimit të ligjit për prokurimin publik, i cili hyri në fuqi më datë 31 mars të vitit 2021, duke sjellë ndryshime thelbësore në aspektin material, si edhe ndryshimet ligjore në aspektin procedural të paraqitjes së ankesave.
Nga 768 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë) ankesa,
298 prej tyre ose rreth 38.8 %, janë ankesa të paraqitura për kundërshtime mbi dokumentet e tenderit;
470 ankesa ose rreth 61.2 % e tyre, janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave.
Nga numri total i ankesave të paraqitura gjatë vitit 2021:
327 (treqind e njëzet e shtatë) ankesa janë pranuar;
343 (treqind e dyzet e tre) nuk janë pranuar;
31 (tridhjetë e një) ankesa nuk janë marrë në shqyrtim;
54 (pesëdhjetë e katër) është mbyllur çështja;
21 (njëzet e një) prej tyre ka përfunduar procedimi administrativ.
Gjatë vitit 2021, numri total i autoriteteve kontraktore për të cilat është paraqitur ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik është 223 (dyqind e njëzet e tre), ndërkohë që numri i operatorëve ekonomikë ankimues është 283 (dyqind e tetëdhjetë e tre).
Gjatë vitit 2021, nga totali i ankesave të shqyrtuara, 483 (katërqind e tetëdhjetë e tre) prej tyre janë paraqitur për fazën e vlerësimit të ofertave. Pas vendimmarrjes së Komisionit të Prokurimit Publik rezulton, se pas ushtrimit të mjeteve të rishikimit, ankimit administrativ nga operatorët ekonomikë me anë të dorëzimit të ankesave pranë Komisionit të Prokurimit Publik, KPP-ja pas shqyrtimit të ankesave, nga vendimmarrja e këtij të fundit, i ka kursyer buxhetit të shtetit, vlerën prej rreth 119,346,291 lekë pa TVSH, llogaritur si diferencë e ofertës së kualifikuar nga vendimmarrja e autoriteteve kontraktore dhe e operatorëve ekonomikë të ankuar, ankesa e të cilëve është pranuar nga Komisioni i Prokurimit Publik.
Gjatë vitit 2021, Komisioni është shprehur me 676 vendime përfundimtare, me një kohë mesatare të trajtimit të ankesave prej 17 ditësh, ndërkohë numri i ankesave të trajtuara jashtë afatit ligjor, ka rënë me 50% nga viti paraardhës, me treguesit më të mirë në dhjetëvjeçarin e funksionimit të tij.
Në këtë periudhë KPP-ja, ka marrë tri masa administrative gjobë për titullarët e autoriteteve kontraktore, ka dërguar për hetime të mëtejshme tri çështje pranë Autoritetit të Konkurrencës dhe për hetime administrative njëmbëdhjetë çështje pranë Agjencisë së Prokurimit Publik.
Nga vendimmarrja e Komisionit të Prokurimit Publik dhe delegimi i çështjeve për hetime të mëtejshme në organet e tjera, janë përjashtuar katër operatorë ekonomikë nga garat publike, për shkak të shkeljeve të ligjit të konstatuara.
Për herë të parë në dhjetëvjeçarin e fundit, KPP-ja është shprehur edhe me vendime interpretuese, duke publikuar njëherazi në faqen zyrtare dhe buletinet periodike, për të gjithë operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore, njoftime mbi praktikën vendimmarrëse në çështje specifike, me rëndësi për sistemin dhe me synim shmangien e përsëritjes së problematikave të konstatuara.
Që prej muajit korrik të vitit të kaluar, të gjithë operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore njoftohen me një buletin mujor të vepritmarisë së institucionit të Komisionit të Prokurimit Publik.
Qëndrueshmëria e vendimmarrjes së Komisionit është konfirmuar edhe nga Gjykata Administrative, si në drejtim të numrit më të ulët të padive të paraqitura kundër vendimeve të Komisionit, krahasuar me 2 % më pak me vitin e mëparshëm, pra vetëm 7.8 % e vendimeve janë ankimuar në Gjykatë, si dhe Gjykata ka pranuar me një vendim jopërfundimtar rreth 11% të padive.
Çështjet që janë trajtuar në vendimmarrjen e Komisionit të Prokurimit Publik gjatë vitit 2021 kanë pasur të bëjnë me:
(i) Aplikimin e rregullave për përcaktimin e fondit limit;
(ii) Mënyrën e hartimit të specifikimeve teknike;
(iii) Mënyrën e hartimit të kërkesave dhe dokumenteve provuese në lidhje me kriteret e kualifikimit;
(iv) Mënyrën e hartimit të kritereve të përcaktimit të ofertues fituese;
(v) Vendosjen e kërkesave të tepërta, të panevojshme ose jo në proporcion me natyrën, volumin dhe me objektin e prokurimit, për certifikime e akreditime kombëtare ose ndërkombëtare;
(vi) Skualifikime apo kualifikime të padrejta dhe të pabazuara në ligj dhe në rregullat e prokurimit të operatorëve ekonomikë;
(vii) Mosrespektim të rregullave për njoftimet, afatet dhe procedurat e kualifikimit dhe përzgjedhjes;
(viii) Veprimet procedurale të administrimit dhe kryerjes së vlerësimit dhe testimit të mostrave nga ana e autoriteteve kontraktore;
(ix) Veprimet e autoriteteve kontraktore në drejtim të konstatimit dhe vlerësimit të ofertave të dorëzuara si anomalish të ulëta;
(x) Mosrespektimi i periudhës së pritjes nga autoritetet kontraktore.
Në drejtim të funksionimit të sistemit të ankimit për prokurimin publik, janë identifikuar problematikat, si për operatorët ekonomikë ashtu edhe për autoritetet kontraktore, ku emëruesi i përbashkët është mosnjohja e mirë e ndryshimeve të ligjit, veçanërisht në procesin e ankimit.
Brenda fushës së veprimtarisë së tij, Komisioni ka ndërmarrë të gjitha masat për shmangien e problematikave të konstatuara në të ardhmen dhe konkretisht:
• Janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për informimin e operatorëve ekonomikë dhe autoriteteve kontraktore, mbi momentin procedural të fillimit të afateve të ankimit, si me anë të publikimit në faqen zyrtare të procedurave të ankimit referuar ligjit nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, ashtu edhe me publikimin e njoftimit, për marrjen e vendimeve interpretuese në përputhje me nenin 24 pika 3 të ligjit nr.162/2020 “Për prokurimin publik”.
• Gjithashtu, në vitin 2021, Komisioni i Prokurimit Publik zhvilloi një konferencë të përbashkët me operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore, mbi problematikat e konstatuara në sistemin e prokurimeve dhe përmirësimin e tyre.
• Gjatë vitit 2021, Komisioni i Prokurimit Publik ka hartuar në mënyrë periodike buletine mujore të veprimtarisë, në të cilat ka pasqyruar edhe problematikat e konstatuara në vendimmarrje.
Së treti, viti i kaluar ka qenë një vit i rëndësishëm edhe për vlerësimin në aspektin ndërkombëtar të prokurimit publik në Shqipëri, veçanërisht të punës së Komisionit të Prokurimit Publik. Në raportin e SIGMA-OECD për “Reformat e mirëqeverisjes dhe Administrimit Publik”, për vitin 2021 theksohet, se performanca e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) është përmirësuar ndjeshëm, ku fokusi vendoset tek sistemi i ri i apelimit elektronik, rritja e shpejtësisë së vendimmarrjes dhe faqja e re e uebit.
Kështu, në raportin e vitit 2021, sistemi i trajtimit të ankesave në Shqipëri, ka marrë vlerësimin maksimal 5/5, vlerësim i rritur ndjeshëm në krahasim me vlerësimet e viteve paraardhëse. Vlerësohen pozitivisht disa indikatorë si: rritja e shpejtësisë në vendimmarrje; ulja e numrit të ankesave të shqyrtuara jashtë afatit; cilësia e vendimmarrjes; efikasiteti i sistemit të trajtimit të ankesës, etj.
Në drejtim të ushtrimit të veprimtarisë institucionale, gjatë vitit të kaluar, Komisioni i Prokurimit Publik ka marrë masat për zbatimin e të gjitha rekomandimeve të Kuvendit, ku nga gjashtë rekomandime, 5 janë përmbushur plotësisht dhe vetëm një rekomandim është përmbushur pjesërisht.
Gjithashtu, nga ana e Komisionit janë miratuar gjashtë akte rregullatore, me fokus kryesor rritjen e transparencës, parandalimin e korrupsionit, monitorimin dhe mbikëqyrjen e sjelljes së nëpunësve civil gjatë fushatës elektorale, si edhe rregullorja për organizimin dhe funksionimin e Komisionit.
Nga analizimi i problematikave të mësipërme, në konkluzion do të doja të veçoja dy çështje me rëndësi për prokurimin publik, të cilat kanë qenë ndër vite emërues i përbashkët i sfidave të sistemit.
• E para lidhet me ngritjen e një trupe zyrtarësh të prokurimit publik të certifikuar. Sfidat që ndan sistemi i prokurimit publik në tërësi dhe Komisioni i Prokurimit Publik, bashkohen në një, ajo e forcimit të kapaciteteve dhe elementeve njerëzore, të zyrtarëve të prokurimit dhe të çdo zyrtari, që shqyrton procedurat e prokurimit, qoftë organ administrativ apo organ gjyqësor. Çdo reformë institucionale dhe funksionale nuk do të kishte kuptim pa prekur thelbin e saj, elementin njerëzor. Një trupë zyrtarësh prokurimi të certifikuar pranë autoriteteve kontraktore, operatorëve ekonomikë, organeve të shqyrtimit të prokurimit, do të sillte një impakt të qenësishëm në sistemin e prokurimit në Shqipëri. Nxitja e trajnimeve, si për zyrtarët e prokurimit publik edhe për punonjësit e operatorëve ekonomikë, është një nevojë e rëndësishme për të përballuar sfidat me të cilat ndeshet prokurimi në Shqipëri. Shqyrtimi gjyqësor i vendimmarrjes së Komisionit të Prokurimit Publik dhe praktika gjyqësore krahas asaj administrative, luajnë një rol të rëndësishëm për sistemin e prokurimit publik në tërësi, ndaj, fuqizimi i kapaciteteve dhe njohurive të thelluara duhet të shtrihet përtej organeve administrative, por edhe tek organet gjyqësore, veçanërisht gjykatat administrative.
• Së dyti, krijimi dhe konsolidimi i standardeve kombëtare në prokurimin publik. Gjatë vitit 2021, është konstatuar një numër i lartë i ankesave në procedurat e prokurimit publik, në lidhje me dokumentet e procedurave të prokurimit. Disa prej këtyre ankesave, lidhen gjithashtu edhe me mënyrën e hartimit të specifikimeve teknike për procedura specifike. Komisioni i Prokurimit Publik ka konstatuar një numër të ulët ankesash në drejtim të mallrave, ku specifikimet teknike rregullohen me standardin kombëtar në fuqi. Ndaj, propozojmë nxitjen e hartimit të Standardeve Kombëtare (SSH) për grup mallrash me përdorim të përgjithshëm, të cilat do të ndikonin në sistem, në drejtim të mënyrës së hartimeve të specifikimeve teknike nga ana e autoriteteve kontraktore.
Gjithashtu, do të doja të shtoja faktin, se nga zbatimi në praktikë i ligjit të ri të prokurimit publik të miratuar nga Kuvendi, kemi konstatuar disa çështje me rëndësi, të cilat vinë si propozim për të marrë nismën e ndryshimit të legjislacionit dhe konkretisht:
• Propozojmë ndryshime të nenit 109 të ligjit nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, duke shtuar të drejtën për të vënë në lëvizje Komisionin e Prokurimit Publik (rregullimin e interesit të ligjshëm-legjitimimin substancial ( ad causam).
• Ndryshime lidhur me veprimet procedurale të Komisionit të Prokurimit Publik në kuadër të shqyrtimit të ankesave, me synim rritjen e shpejtësisë dhe eficencës. Propozojmë shfuqizimin e pikës 2 të nenit 115 të ligjit nr.162/2020.
Sfidat që ndan sistemi i prokurimit publik në tërësi dhe Komisioni i Prokurimit Publik, bashkohen në një, ajo e forcimit të kapaciteteve dhe elementeve njerëzore, të zyrtarëve të prokurimit dhe të çdo zyrtari, që shqyrton procedurat e prokurimit, qoftë organ administrativ apo organ gjyqësor.
Komisioni i Prokurimit Publik, garanton të gjitha grupet e interesit, se do të vijojë në lartësinë e kërkuar nga ligji dhe të besuar nga Kuvendi, për të mbrojtur interesat e ligjshëm, si një organ që qëndron mbi palët dhe me emërues të përbashkët pasionin për të punuar me paanshmëri, ligjshmëri, shpejtësi dhe efiçencë.