Pep Guardiola ka nevojë për një anësor të majtë për të zëvendësuar Oleksandr Zinchenkon, i cili do të transferohet tek Arsenali për një shumë 36-38 milionë euro.

Trajneri spanjoll ka piketuar Marc Cucurella, bashkëkombasin e tij për të cilin Brighton pagoi 18 milionë euro te Getafe verën e kaluar. Lojtari i dalë nga akademia e Barcelonës është përmirësuar shumë vitet e fundit.

Guardiola e do pjesë të ekipit 23-vjeçarin, por Brighton ka refuzuar 35 milionë euro të ofruar nga drejtuesit e Manchester City.

Brighton kërkon më shumë, duke u bërë të qartë kampionëve të Anglisë se duhen paguar 55-60 milionë euro nëse duan shërbimet e lojtarit spanjoll.

Bisedimet vazhdojnë dhe te City janë optimistë në lidhje me arritjen e akordit final, edhe pse distanca mes ofertës dhe kërkesës është e madhe.

Cucurella shkëlqeu në sezonin e parë në Premier League, duke luajtur 38 ndeshje me Brighton, teksa shënoi një gol e dhuroi dy asiste.