Kryeministri Rama ka mbajtur këtë mëngjes një konferencë për mediat në lidhje me sulmin kibernetik me të cilin Shqipëria është përballur gjatë javës së fundit.

Rama infirmoi se beteja me armikun nuk përfunduar ende ndërsa janë kthyer pjesa më e madhe e shërbimeve që ofrohen nga sistemet qeveritare.

 

Dy janë shtetet që dy shohet se kanë organizuar sulmin ndaj vendit tonë por kryeministri Rama u shpreh i rezervuar për të nxjerrë emra.

 

Komunikim me median i kryeministrit Edi Rama, lidhur me rezultatet e kundërpërgjigjes ndaj sulmit kibernetik 

 

 

 

E pashë të udhës të dal vetë për shkak se bëhet fjalë për një temë me shumë rëndësi, e cila jo vetëm ka ngjallur interes, – se kjo është, në këtë rast, jo fjala e duhur, – por ka ngjallur shqetësim shumë të madh dhe ka përshkallëzuar një furi shpifjesh të një papërgjegjshmërie shumë të lartë lidhur me një agresion masiv kibernetik mbi Shqipërinë, i cili kam kënaqësinë të them që është zbrapsur përfundimisht dhe në ndërkohë, shërbimet për publikun të platformës e-Albania janë rikthyer masivisht dhe tani mbeten një numër i vogël prej tyre për t’u rikthyer në mënyrë që të plotësohet i gjithë kuadri i ndërveprimit dhe punës së zakonshme të përditshme të nëpunësve që qëndrojnë pas ekraneve për t’u shërbyer qytetarëve pa radha, pa kosto dhe pa asnjë bakshish.

 

Kemi punuar ose më saktë, skuadra e AKSHI-t ka punuar natë e ditë, ditë dhe natë dhe do kemi një konferencë të posaçme për shtyp, besoj edhe me partnerët kur gjithçka të jetë përfunduar dhe ku skuadra speciale e angazhuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos ketë më nevojë të qëndrojë në tryezë bashkë me ekspertët tanë.

 

Ajo që dua të nënvizoj është se, së pari, sulmi nuk është një sulm i organizuar nga hakera të zakonshëm dhe as nga grupe njerëzish të kësaj bote të errët që bëjnë shpeshherë ndërmarrje të tilla edhe ndaj shteteve shumë më të mëdha dhe shumë më të fuqishme, deri duke bllokuar edhe sisteme kritike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të vendosur gjoba shumë të majme për ente të caktuara.

 

Ky është një agresion i organizuar nga një shtet. Nuk kemi ende të gjitha provat për të përcaktuar një prej dy shteteve fortësisht të dyshuara, shpresoj se do ta bëjmë në vijim, kjo është pjesa më delikate e investigimit.

 

E dyta, është shumë e rëndësishme të thuhet se roli i disa burimeve të informacionit, me në krye Top Channel, ka qenë një rol destruktiv dhe rol i papranueshëm për një shoqëri demokraci të informacionit dhe fjalës së lirë. Nuk e kuptojmë arsyen pse Top Channel është angazhuar edhe me gjithë thirrjen time, personalisht, publike edhe në shprehjen e shqetësimeve të drejtpërdrejta për Top Channel në një fushatë disinformimi masiv,  që në kushtet kur bëhet fjalë për të dhëna, në kushtet kur bëhet fjalë për shumëçka që lidhet me bazën e shtetit, me inventarin e dokumenteve, krijon panik.

 

Nuk është në praktikën tonë të ndërmarrim hapa gjyqësorë ndaj mediave, por është e pamundur të gjehet se pse dhe për më tepër se si mund të adresohen, sidomos në raste të tilla, lajthitje të këtyre përmasave.

 

Nuk dua të bëj asnjë akuzë, as nuk dua të ngre asnjë teori konspiracioni se nuk është e nevojshme se boll e ka ngritur Top Channel dhe kush e ka ndjekur pas për të thënë gjëra tërësisht të pavërteta. “Jo është vënë një gjobë 30 milionë euro e qeveria duhet t’i paguajë, jo janë zhdukur pronat e këto e ato”.

Tërësisht të pavërteta!

 

Ndërkohë, duke iu thënë, edhe kanalet institucionale të informimit se këto janë të pavërteta, ju lutem, ky është një sulm, është një bombardim që nuk vjen nga qielli, por vjen përmes internetit. Një bombardim shumë i rëndë dhe koha e marrë për të ringritur të gjithë sistemet e bombarduara është në kohë rekord.

 

Këto janë detaje që shpresoj do t’i dëgjoni edhe nga super ekspertët amerikanë që kemi pasur në këtë proces krah për krah.

 

Kjo është arsyeja pse unë dola sot.

 

Ndërkohë, për një vendim të rëndësishëm që ka të bëjë me hartën gjyqësore, do flasë Ministri i Drejtësisë.

 

***

– Zoti  Kryeministër, nëse është e mundur, ju folët për dy shtete, të cilët po identifikohen se cilët janë. A është e mundur të na thoni se cilët janë dy shtetet?

Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të spekuloj se kjo është shumë serioze dhe në momentin që do të kemi prova te mjaftueshme, ne do të ndërmarrim pastaj dhe aksionet konkretet të natyrës diplomatike ndaj cilitdo prej këtyre shteteve që është autor i këtij agresioni kriminal ndaj Shqipërisë, prandaj do më lejoni që të jem i rezervuar. Arsyeja pse ne jemi përpjekur të informojmë çdo ditë publikun, por pa thënë gjithçka, është pikërisht se kemi qenë realisht në një luftë, me një agresor që bombardonte nga të gjitha anët, të gjitha sistemet tona, njësoj si të vinte të bombardonte Rusia sot, kanalizimet, rrjetin e ndriçimit por në hapësirën virutale.

 

– Në kuptimin e asaj që thatë ju se do të ndërmerrni aksione ndaj shtetit sulmues në momentin që do të identifikohet. Ju do të kërkoni dëmshpërblim ndaj atij shteti? Cilat do të jenë hapat?

Kryeministrit Edi Rama: Me ato shtete nuk ka vend për të arsyetuar në mënyrë logjike që buron nga ligjet ndërkombëtarë, janë shtete që nuk duan të dinë për ligjin ndërkombëtar, por nga ana tjetër sigurisht që ne do duhet të marrim hapat tanë dhe prandaj nuk mund të marrim tani nëpër gojë dy shtete sepse pavarësisht se janë dy shtete jomiqësore me Shqipërinë nuk ka pse ai shtet prej tyre, që nuk është i përfshirë, të merret nëpër gojë sidoqoftë

 

– Edhe një pyetje e fundit, Zoti Kryeministër. Ky sulm i fortë kibernetik a tregoi brishtësinë e sistemit tonë mbrojtës? Faleminderit.

Kryeministri Edi Rama: Ky sulm i fortë kibernetik, shumë I fortë , ka treguar në fakt forcën e sistemit tonë sepse rënia e sistemit në një moment të caktuar është diçka që ndodh edhe siç thashë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo më në Shqipëri dhe mbyllja e dyerve për tu mbrojtur është pjesë e një mase në këtë proces. Megjithatë këto janë detaje dhe unë nuk dua tani të bëj ekspertin kibernetik, të cilat do të mund t’i diskutoni me skuadrën që po përfundon, shpresojmë brenda kësaj fundjave, të gjithë risistemimin pas bombardimit.

 

– Në më lejoni një pyetje për diçka që ka sjellë debat aktual ditët e fundit. Duke qenë se Shqipëria ka çelur zyrtarisht negociatat me Bashkimin Europian dhe tashmë ne do duhet të përafrojmë legjislacionin me vendet anëtare, por gjithashtu do kemi dhe një kontroll më të shtuar. BE ka shprehur shqetësime serioze sa i përket projektligjin për amnistinë fiskale duke thënë se do ndikojë luftën që Shqipëria po i bën pastrimit të parave. A do të vazhdoni të këmbëngulni për ta miratuar këtë projektligj apo do tërhiqeni pas këtyre reagimeve?

Kryeministri Edi Rama: Jo, ne kemi patur dhe një konsultë të madhe publike, do të vazhdojmë të bëjmë një tjetër. Ne jemi të vendosur që ta çojmë përpara projektligjin, por duam që të kemi sa më shumë opinione, të ballafaqojmë sa më shumë kritikat me faktet dhe faktet me burimet e kritikës dhe kjo është arsyeja në fakt pse përgatitja e këtë projektligji ka zgjatur gati 3 vjet. Ndërkohë që paragjykimin se amnistia është kushtetuese, amnistinë e bëjnë vendet e tjera, “po shiko se Shqipëria…”, këtë nuk e pranojmë as nga BE, as nga SHBA, as nga hëna.

 

– Duke qenë se ne tashmë e kemi marrë lajmin e mirë. Në Bruksel u shprehet i lumtur duke folur për pritjen e gjatë të Shqipërisë për të çelur zyrtarisht negociatat. Në një farë mënyre ju referuat dhe faktit që në disa raste pritja ka qenë për shkak të faktorëve të jashtëm. Ju vetë jeni ndjerë ndonjëherë fajtor që në vitin 2011 e keni bllokuar me 2 vite duke mos votuar tre ligje duke vendosur kusht qarkun e Fierit?

Kryeministri Edi Rama: Asnjë sekondë dhe po t’i kthehemi historisë, ky është një mit që u krijua nga propaganda e kohës sepse faktikisht ne u zgjodhëm në 2013-ën, i miratuam të treja ligjet në periudhën përpara Këshillit Europian të dhjetorit dhe nuk e morëm. Pra, nuk ka qenë asnjëherë e thënë nga ata që duhet të thonë, jo nga këta që thonë ato që duan, që këto tre ligje do të sjellin statusin e kandidatit. Statusi i kandidatit erdhi jo vetëm pas miratimit të tyre, por pas një sërë reformash të tjera dhe statusi i kandidatit erdhi pasi u larguan ata që ishin arsyeja pse BE as nuk e konsideronte fare që të vazhdonte më tej Shqipërinë sepse ishin de facto të margjinalizuar.

Faleminderit!