Kreu i demokratëve Sali Berisha, në një takim në Fier me qytetarët, ka folur edhe në lidhje me shpalljen e tij non grata nga Britania.
Berisha e quajti një akt të tillë vepër të lobimeve të kryeministrit Rama dhe George Soros, ndërsa tha se edhe nëse e gjithë bota do të shpallte të tillë, ai do të vijonte me denoncimet.
“Ju e morët vesh që para 3 ditësh njoftoi homeoffice se jam shpallur non grata. Mund t’ju them se Hasan Zyko Kamberi ishte gjeni kur shkruante: “Me para ia hyn qabesë, shemb vakëfin e Fatimes”!
Ky miqtë e mi është një akt i tmerrshëm korruptim dhe unë mbetem i vendosur të luftoj për ju korrupsionin me të gjithë forcën time nga cilido qoftë.
Akti është vazhdim i lobimit të Soros dhe Ramës ku në një vit rresht nuk nxorrën dot një fakt të vetë. As në 100 vjet nuk mund të nxjerrin. Pas kësaj u duhet edhe një tjetër akt që të thonin e ka bërë edhe Britania. Edhe nëse e bën e gjithë bota me korrupsion do ta denoncoj. Asgjë nuk më ndalon.
Këto nuk janë axhenda jonë. Ajo është rrëzimi i kësaj qeverie. Sikundër deri sot do të denoncoj me gjithë forcën time kriminelët, korrupsionin e kujtdo zyrtari shqiptarë dhe i huaj. Kauza jonë është e drejtë. Ne do të fitojmë”, përfundoi Berisha.