Nga Adriatik Doçi/Ndonjëherë gjysmë të vërtetat prodhojnë efekte më shumë se sa një gënjeshtër e mirëfilltë. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ishte protagoniste e Fake Neës-it të javës, me denoncimin e gjoja një skeme evazioni fiskal të 24 kompanive, të lidhura me historinë e inceneratorëve.
“Jam këtu për të ndihmuar SPAK për aferën e inceneratorëve. Është rasti flagrant ku qeveria është kapur me presh në dorë. Po të shikosh, në inceneratorin e Tiranës nuk ka asnjë lloj investimi… Janë 24 kompani që kanë bërë bashkëpunim financiar me dëm 189 milionë dollarë. Duket si punë e ndershme…”, tha Kryemadhi tre ditë më parë.
Historia u bë më e besueshme kur në skenë dolën disa të moshuar, kompanitë në emër të të cilëve qarkullonin dhjetëra miliona euro, një fenomen rëndom në Shqipëri, ku njerëzit e trafiqeve, korrupsionit dhe mashtrimit, fshihen pas të moshuarave për t’i shpëtuar ndëshkimit ligjor.
Kryemadhi e shtjelloi më tej Fake Neës-in, duke i bërë thirrje Ministrisë së Financave që të ndalonte pagesat për kompanitë, një tjetër aludim pjesë e gënjeshtrës së madhe.
Pse ‘denoncimi’ i Monika Kryemadhit ishte një gënjeshtër, pikërisht në një kohë kur SPAK kishte regjistruar dy procedime penale për Ilir Metën dhe Kryemadhin për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie?
Së pari, Report Tv zbuloi një ditë më pas se të paktën 6 nga 24 kompanitë e denoncuara nga Monika Kryemadhi ishin hetuar nga Prokuroria e Tiranës që vitin 2018 për mashtrim me skemën e TVSH dhe evazion fiskal. Prokuroria mori të pandehur dhe arrestoi 7 pronarë të këtyre kompanive në vitin 2019, të cilët u dënuan nga gjykata me mbi 17 vite burg. Pra bëhej për një skemë të zbuluar, të denoncuar dhe të ndëshkuar nga drejtësia, por që Kryemadhi e paraqiste si një zbulim ekskluziv të saj, duke e lidhur me kompaninë e inceneratorëve.
Së dyti, qeveria shqiptare ka dhënë rreth 100 milionë euro për tre inceneratorët. Për inceneratorin e Tiranës janë dhënë rreth 35 milionë euro. Monika Kryemadhi thotë se kompanitë e lidhura me inceneratori e Tiranës kanë përfituar 189 milionë dollarë. Nga i ndau inceneratori i Tiranës 189 milionë euro me 24 kompanitë kur i të gjithë financimi ishte 35 milionë euro?
Së treti, Monika Kryemadhi tha se vetëm kompania e dy të moshuarve ka marrë 30 milionë euro. Si mund t’i jepte një pagesë 30 milionë euro inceneratori i Tiranës një kompani me një buxhet rreth 35 milionë euro?
Së katërti, Kryemadhi i bëri thirrje Ministrisë së Financave të ndalojë pagesat. Ministria nuk paguan kompanitë. Nëse do të kishte një raport, që në rastin konkret nuk provohet, do të kishte mes kompanive dhe kompanisë së inceneratorëve.
Së pesti, Monika Kryemadhi nuk paraqiti dokumente të lëvizjes së parave të pretenduara nga inceneratori i Tiranës drejt kompanive, për punime fiktive, pasi nuk ka të tilla. Për të mjegulluar Fake Neës-in, Kryemadhi paraqiti një çerek dokumenti për një kompani, por që nuk mund të konfirmojnë lidhjen e skemës masive të pretenduar të evazionit fiskal me inceneratorët.
Së gjashti, në Shqipëri mund të ketë sot qindra kompani fantazmë ose jo që kryejnë evazion fiskal dhe janë angazhuar në zbatimin e skemave të mashtrimit, por kjo nuk do të thotë se janë pjesë e historisë së inceneratorëve, siç kërkoi ta paraqiste Monika Kryemadhi.
Së shtati, inceneratori i Tiranës mohoi kategorikisht një raport financiar me kompanitë e denoncuara nga Kryemadhit, ndërsa Ministria e Financave reagoi duke pohuar se behej fjalë e denoncuar nga vetë tatimet dhe e goditur nga prokuroria. Pas këtij reagimi, përpos deklaratave politike, Kryemadhi nuk ka paraqitur dokumentet e pretenduara për të konfirmuar lidhjen e skemës së zakonshme të evazionit fiskal me inceneratorët.