Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, nga qelitë e paraburgimit, i akuzuar për aferën e inceneratorëve, kërkon zhbllokimin e pasurive të tjera në Gjykatën e Lartë. Koka ka bërë rekurs pranë Supremes edhe pse kjo e fundit e refuzoi në muajin maj për zhbllokimin e pasurive të sekuestruara për inceneratorin e Elbasanit. Këtë radhë ish-ministri kërkon heqjen e sekuestros për katër prona në total, të cilat janë bllokuar më herët me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, si pjesë e hetimit pasuror që po kryhet ndaj tij për inceneratorin e Fierit. Rekursi pritet të shqyrtohet në vijim nga Gjykata e Lartë dhe përmes shortit është caktuar edhe gjyqtari Sandër Simoni si relator i çështjes, i njëjti gjyqtar që refuzoi zhbllokimin e pasurive në herët e parë.

Pasuritë e sekuestruara pas hetimeve të kryera për inceneratorin e Fierit, për të cilat Lefter Koka kërkon zhbllokimin në Gjykatë të Lartë:

-“Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., me seli qendrore në Tiranë.

-“Integrated Technology Services” sh.p.k, me seli qëndrore në Tiranë.

-Katër pasuri të paluajtshme në zotërim të Lefter Kokës, me sipërfaqe totale prej 3 344.8 m2. Këto pasuri kanë një vlerë ekuivalente që përmbush vlerën e përfituar në mënyrë të paligjshme në shumën 146,083,071 lekë, në objektin “Piste det”.

-Apartament në zotërim të shtetasit Edmond Bllako, me sipërfaqe 99.48 m2, me adresë Tiranë, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga Alqi Bllako në shumën 14,964,900 lekë.

Por Gjykata e Lartë i refuzoi rekursin Kokës në muajin prill edhe përsa i përket kërkesës për ndryshim të masës së sigurisë nga “arrest me burg” në një tjetër më të butë, kësaj here për aferën në inceneratorin e Elbasanit në vlerën 3.7 milionë euro, me pretendimin se nuk kishte dhënë asnjë pretendim më tepër nga ajo që kishte paraqitur në Apel. Lefter Koka u la në burg me vendim të Apelit të Gjykatës së Posaçme në datën 25 shkurt 2022.

Pasuritë e sekuestruara të Lefter Kokës që u refuzuan në muajin maj të zhbllokohen nga Gjykata e Lartë:

-“Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu” sh.a., me seli në Rrashbull, Durrës, që iu korrespondon vlera prej 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale, në zotërim të lefter Kokës në masën 88, 19 % të aksioneve.

Lefter Koka dyshohet se ka përfituar rreth 1,2 milionë euro ryshfet për ndërtimin e inceneratorit të Fierit. E njëjta skemë si në inceneratorin e Elbasanit ku Koka dyshohet se përfitoi rreth 3,7 milionë euro, është kryer edhe në Fier. Ai u arrestua në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa vijon të jetë në masën “arrest me burg”, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash./Shqiptarja.com