Kryeministri Rama gjatë vizitës së tij zyrtare në Holandë, ka zhvilluar takime edhe me presidentin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Piotr Hofmański dhe me Kryeprokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan.
Pas takimit, vetë gjykata ka pasqyruar këtë vizitë duke theksuar së vlerësojnë bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Gjykatës dhe vlerësoi kryeministrin Rama që nderoi Gjykatën me vizitën e tij.
Nga ana tjetër, në njoftimin e Gjykatës thuhet se kryeministri Rama dha mbështetjen e tij (të Shqipërisë) për këtë institucion, duke theksuar se: “Republika e Shqipërisë mbetet e angazhuar në drejtësinë dhe legjislacionin ndërkombëtar kundër krimeve më të rënda të kryera kudo në botë. Mbështetja e Shqipërisë ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe Zyrës së Prokurorit në punën e tyre thelbësore për të garantuar zbatimin universal të Statutit të Romës në vendosjen e drejtësisë për të gjitha viktimat e krimeve të rënda. Si shtet anëtar i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023, Shqipëria do të vijojë të kërkojë vënien para përgjegjësisë për të garantuar llogaridhënie në çdo rast që shkelet e drejta ndërkombëtare.’‘/Lexo.al
Njoftimi i plotë i Gjykatës Penale Ndërkombëtare:
Më 4 korrik 2022, shkëlqesia e tij, zoti Edi Rama, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë vizitoi Gjykatën Ndërkombëtare Penale, ku u takua me Kryetarin e Gjykatës, Gjyqtarin Piotr Hofmański, Prokurorin e gjykatës Karim A.A. Khan QC dhe Regjistruesin Peter Leëis.
Në fjalën e tij gjatë takimit, Kryetari i Gjykatës Hofmański falenderoi Kryeministrin Rama që nderoi Gjykatën me vizitën e tij dhe deklaroi: “Vlerësojmë shumë bashkëpunimin e Shqipërisë me Gjykatën dhe mbështetja që i ka dhënë asaj si pale afatgjatë e Statutit të Romës.”
Kryeministri Rama tha: “Republika e Shqipërisë mbetet e angazhuar në drejtësinë dhe legjislacionin ndërkombëtar kundër krimeve më të rënda të kryera kudo në botë.” Kryeministri Rama theksoi sërish “Mbështetja e Shqipërisë ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe Zyrës së Prokurorit në punën e tyre thelbësore për të garantuar zbatimin universal të Statutit të Romës në vendosjen e drejtësisë për të gjitha viktimat e krimeve të rënda”. “Si shtet anëtar i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023, Shqipëria do të vijojë të kërkojë vënien para përgjegjësisë për të garantuar llogaridhënie në çdo rast që shkelet e drejta ndërkombëtare,” tha ai.
Vizita e kryeministrit Rama në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, nxjerr në pah mbështetjen e Shqipërisë ndaj Gjykatës dhe përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër mosndëshkimit të autorëve të krimeve më të rënda që prekin komunitetin ndërkombëtar në tërësi. Shqipëria nënshkroi Statutin e Romës më 18 korrik dhe depozitoi instrumentin e saj të ratifikimit të Statutit të Romës më 31 janar 2003.