Policia e Shtetit ka paralajmeruar se duke nisur nga muaji gusht do të shtohen masat për mbarvajtjen se sezonit turistik, nisur nga fluksi i lartë i turistëve, vizitorëve dhe bashkëkombësve që vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka urdhëruar që të caktohen punonjës policie, kryesisht të Policisë Kriminale a të Rendit, për të patrulluar në vijën bregdetare, aty ku ka grumbullime masive të pushuesve dhe të filmojnë çdo rast të tentativës për manovra të rrezikshme nga “Jet ski”-të apo skafet, qoftë brenda perimetrit të sigurisë, ashtu edhe në afërsi të perimetrit të sigurisë.
Në urdhërin e Nanos thuhet se punonjësit e Policisë që janë me shërbim në plazhet e vendit të insktruktohen dhe të angazhohen në punë, si turni i parë ashtu edhe i dyti, për të patrulluar pandërprerë në vijën bregdetare dhe të evidentojnë çdo mjet lundrues që cenon sigurinë e jetës së pushuesve.
‘Qoftë punonjësit civilë, ashtu edhe punonjësit me biçikleta apo me patrullat e rendit, për çdo rast të konstatuar, filmimet t’ua dërgojnë menjëherë Policisë Kufitare, e cila të reagojë në kohë reale duke bllokuar mjetin dhe duke e ndëshkuar me masë administrative.’-thotë Nano.
Po ashtu në urdhër thuhe se Policia Kufitare duhet të rrisë patrullimet dhe të koordinojnë veprimet me Policinë vendore, për të parandaluar dhe për të reaguar në kohë ndaj këtyre shkeljeve që krijojnë imazh negativ për vendin, cënojnë efektivitetin e punës së Policisë dhe krijojnë frikë dhe panik tek pushuesit.