Ndërsa harta e re gjyqësore kundërshtohet nga avokatet të cilët vazhdojnë bojkotin ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja se drafti do t’i përcillet shumë shpejt qeverisë.

“Të gjitha diskutimet mbi hartën kemi lënë një ditë të dedikuar, do të kemi përgjigjet e duhura nesër në Komisionin e Ligjeve. Nesër do të shkojmë në respekt të Komisionit të Ligjeve, pas seancës dëgjimore nesër në Komisionin e ligjeve dhe miratimin nga Ministria e Financave, harta do të shkojë në qeveri për miratim.”

Gjatë një takimi konsultues për projektligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, ministri i Drejtësisë bëri me dije se do të adresohet çdo lloj abuzimi me synim mbrojtjen e qytetarëve.

Projektligji jo vetëm që përmirëson dhe zgjeron të drejtat e tyre të parashikuara nga ligji në fuqi, por parashikon për herë të parë edhe të drejta të reja si e drejta për t’u harruar dhe e drejta për transferueshmërinë e të dhënave. Parashikohen edhe detyrime të reja për kontrolluesit dhe përpunuesit si: kryerja e vlerësimit të ndikimit në mbrojtjen e të dhënave personale përpara fillimit të një procesi përpunimi. Parashikohen për herë të parë rregulla mbi përpunimin e të dhënave personale nga autoritetet kompetente për sigurinë publike ose kombëtare dhe për parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale.”