Më në fund shqetësimi i përdoruesve të rrugës së ish-Kinostudios gjen zgjidhje!
Komisariati i Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, liroi dhe pastroi nga mbi 25 mjete të amortizuara dhe papastërtitë e krijuara prej tyre në rrugë, të cilat prej vitesh qëndronin të parkuara në rrugën “Aleksandër Moisiu” për llogari të procedimeve penale.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, Policia Rrugore e Tiranës, Policia Bashkiake dhe Zjarrfikësit e Tiranës bënë lëvizjen e mjeteve, të cilat kishin shumë kohë që qëndronin të parkuara aty, duke u kthyer jo vetëm në një vatër infeksioni, por dhe krijuar problematika në qarkullimin e mjeteve.
Pas largimit të automjeteve, Bashkia e Tiranës bëri dhe pastrimin dhe larjen e rrugës, duke i dhënë zgjidhje kërkesës së banorëve dhe të bizneseve që janë në atë zonë.
Tashmë drejtuesit e shumtë të mjeteve do të mund të qarkullojnë lirisht dhe në rrugën “Aleksandër Moisiu” ku për shkak të parkimit të mjeteve të aksidentuara, një korsi prej vitesh qëndronte e bllokuar.