Kryeministri Edi Rama ka folur pas ish-kreut të PD-së Lulzim Basha në seancën plenare për akuzat e Dick Martyt dhe raportit për trafik organesh në Shqipëri dhe Kosovë.
Rama tha se opozita nuk mund të thotë asnjë fjalë për Hashim Thaçin, UÇK-në dhe Kosovën. Sipas tij, kjo nuk është një rezolutë si të tjerat, por është fillimi i një rruge që do të shkojë në Strasburg dhe që synon të lëvizë Këshillin e Europës, jo ujëra e ndenjura të SHQUP-it.
“E dëgjuat, a e dëgjuat? Ka qenë 8 vjet kryetar i PD-së. Dëgjuat ndonjë fjalë për Dick Martyn, dëgjuat ndonjë fjalë për UÇK-në, dëgjuat ndonjë fjalë për Hashim Thaçin, dëgjuat ndonjë fjalë për poshtërsinë e akuzës për trafik të organeve të qenieve njerëzore. Jo. Dëgjuat vetëm për Milloshevicin dhe për mua. Po pjesën për mua duhet ta mirëkuptoni se i kam munguar shumë këtë periudhë. Ndërkohë që këtu kemi ardhur për diçka krejt tjetër. Nuk kemi ardhur të bëjmë atë që këta, të gjithë këta, kanë bërë sa herë iu është dashur ky parlament dhe Kosova si samar kur s’kanë pasur ç’ti bëjnë gomarit, cilido qoftë gomari i radhës. Asnjë fjalë për rezolutën që është fillimi i një beteje reale dhe jo vazhdimi i të folur me vete.
Nuk mund ta bartim karagjozllëkun e një politike që për 30 vjet në emër të patriotizmit dhe nacionalizmit i ka përdorur Kosovën, viktimat e spastrimit etnik për llogaritë dhe hesapet e pazarit mizerabël të Tiranës. Por nuk duhet t’ia vini re, dyshoj se do të ketë të tjerë që do ta përmendin dhe do të merren seriozisht me raportin e Dick Martyt me orkestrimin e një procesi që i dha jetë një gjykate speciale dhe po sot ajo gjykatë prokurorët e së cilës kanë ngritur një akuzë, nuk ka asnjë fakt, zero, sepse këta e kanë votuar. Historia e ka këtë të keqe, kur mendon se e ke lënë pas të vjen para. Njëherë nuk kalon dot oqeanin se të vjen historia përpara, pastaj nuk kalon dot kanalin e Gjibraltarit.
Një raport që ka çuar në Hagë jo disa persona, as disa udhëheqës të një lëvizjeje çlirimtare që ishte një rebelim siç do thoshte Fan Noli i katundarëve dhe punëtorëve që morën në një moment pushkën dhe thanë mjaft është mjaft. Kanë çuar atje Kosovën, kanë çuar atje përmes Hashim Thaçit dhe të tjerëve. Po këta burrat që vijnë këtu tregojnë lepujt nëpër qarqe, këta nuk ia përmendin dot emrin Hashim Thaçit. Dhe disa të tjerë e kanë kthyer në një tradhtar, sepse paska dashur t’iu ndajë këtyre Kosovën. Këta Kosovën e ndanë veç kur i çonin naftë asaj makinerie që bënte spastrimin etnik. Me këta trimat, me këta që i gjuajnë me gurë njeri-tjetrit. Është shumë e sikletshme patjetër sepse sot të gjithë së bashku duhet të flisnim për këtë dhe të merreshim me këtë. Kjo nuk është një rezolutë si të tjerat, është fillimi i një rruge që do të shkojë në Strasburg. Rezolutë që synon të lëvizë Këshillin e Europës, jo ujëra e ndenjura të SHQUP-it”, deklaroi Rama.