Historia e Zlatan Ibrahimovic te Milani nuk ka përfunduar. Suedezi, i freskët nga një operacion delikat në gju, do të luajë edhe një sezon tjetër me kuqezinjtë. Sipas raportimeve të ‘Sky Sport’, marrëveshja është arritur në bazë të një kontrate vjetore me pagë shumë më të ulët se ajo e mëparshmja.
Ibrahimovic pritet të fitojë rreth 1-1.5 milionë neto, plus bonuse në lidhje me asistet dhe golat. Pas një sezoni veçanërisht të trazuar nga pikëpamja fizike, në moshën 40-vjeçare, Ibrahimovic ka vendosur të vërë sërish bast me veten. Historia e Zlatanit te Milani vazhdon.
SITUATA – Duke përjashtuar 40 vitet që ai mbushi në tetor dhe titullin e fituar, që kurorëzoi një karrierë të mrekullueshme, bilanci i sezonit të fundit i Zlatan Ibrahimovic ishte i luhatshëm. Suedezi, pasi qepi trengjyrëshin në gjoks, tha se i është dashur të përballet me probleme të ndryshme fizike, të cilat në fund të sezonit e kanë shtyrë të operohet.
LËNDIMI I IBRAHIMOVIÇ – “AC Milan njofton se Zlatan Ibrahimović u operua në gjurin e majtë nga Dr. Bertrand Sonnery-Cottet, në prani të menaxherit të shëndetit të klubit, Stefano Mazzoni, në spitalin Jean Mermoz në Lyon.
Artroskopia ishte planifikuar prej kohësh për të zgjidhur përfundimisht paqëndrueshmërinë e kyçit përmes rindërtimit të ligamentit të kryqëzuar anterior, me përforcim anësor dhe riparimin e meniskut”.
Me këtë deklaratë për media, Milani në fund të muajit maj bëri të ditur arsyen pse Ibrahimovic kishte hasur kaq vështirësi në javët e fundit të sezonit. Suedezi kaloi “nën thikë” për të zgjidhur problemin që, siç tha vetë, e detyroi të bënte më shumë se 20 injeksione dhe shumë pak seanca stërvitore me ekipin:
“Për 6 muajt e fundit kam luajtur pa një ligament të kryqëzuar të përparmë në gjurin tim të majtë. Gjuri im ka qenë i enjtur për gjashtë muaj. Dhimbje torturuese çdo ditë për gjashtë muaj. Për gjashtë muaj mezi kam fjetur nga dhimbja. Asnjëherë nuk kam vuajtur kaq shumë në fushë, as jashtë”.
KUR DO TË KTHEHET IBRA – Sipas asaj që u publikua nga Milani, futbolli i vitit 2022 për Ibrën tashmë ka përfunduar: “Operacioni ka qenë krejtësisht i suksesshëm dhe prognoza llogaritet në 7-8 muaj”.
Enigma në këtë pikë ka të bëjë me të ardhmen e Zlatan-it përsa i përket futbollit profesionist. Hipoteza e daljes në “pension” është gjithmonë e pranishme, ende nuk është marrë asnjë vendim. Kontrata e tij me Milanin skadon më 30 qershor.
SA NDESHJE MUND TË LUAJË – Nëse do të qëndronte edhe një vit, Ibra do të humbiste të gjithë raundin e Champions League dhe 15 ndeshjet e para të Serie A. Një rikthim do të ishte i mundur vetëm nga janari 2023, pra pas pushimit të Kupës së Botës.