Flightradar24 shkruan se avioni i cili ishte nisur nga Nishi i Serbisë drejt Amam të Jordanisë ka shkuar deri në gjysmën e rrugës mbi detin Egje për tu kthyer më pas drejt Kavallas në Greqi ku dhe është rrëzuar rreth orës 23:00 të mbrëmjes së shtunë, 16 korrik 2022.
Fluturimi MEM3032, i Antonov 12 u nis nga Nishi dhe po kalonte detin Egje kur u kthye në drejtim të Greqisë gati një orë pas udhëtimit.
Avioni ka zbritur dhe mund të ketë tentuar të ulej në një fushë ajrore pranë Kavallës. Rrëfimet e dëshmitarëve okularë dhe videot tregojnë zjarrin në avion përpara se ai të godasë tokën.
Guvernatori i rajonit të Maqedonisë Lindore-Trakisë, Christos Metios, duke folur për ERT, tregoi për tymra të rrezikshëm toksikë, duke cituar raportet e administratës së Zjarrfikësve në nivel rajonal.
Tetë persona ishin anëtarë të ekuipazhit në aeroplanin që u rrëzua teksa po mbante një ngarkesë “mjaft të rrezikshme” prej 12 tonësh.
Përmes dronit po verifikohet se çfarë ngarkese ka pasur avioni por errësira, shpërthimet dhe flakët e bëjnë të vështirë. Është nën hetim, siç tha një përfaqësues i Mbrojtjes Civile i cili ka shkuar në vendngjarje, nëse ai transportonte lëndë plasëse. Tani për tani ka një urdhër për largimin e njerëzve derisa të vijë një ekip i posaçëm për të hetuar materialet.