Holanda i ka kërkuar falje popullit të Srebrenicës në 27 vjetorin e gjenocidit më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore, duke pranuar përgjegjësinë për dështimin e forcave paqeruajtëse holandeze për të ndërhyrë.
“Komuniteti ndërkombëtar dështoi të ofrojë mbrojtjen e duhur për popullin e Srebrenicës. Qeveria holandeze ndan përgjegjësinë për situatën në të cilën ndodhi ai dështim. Dhe për këtë, ne ofrojmë faljen tonë më të thellë,” tha Ministrja holandeze e Mbrojtjes Kasja Ollongren gjatë një ceremonie në Potocari, Bosnje-Hercegovinë.
Luftërat ballkanike shpërthyen në vitet 1990 ndërsa Jugosllavia u shpërbë përfundimisht. Disa nga luftimet më të ashpra ishin në Bosnje-Hercegovinë, pasi forcat etnike serbe luftuan me forcat myslimane dhe etnike kroate për kontrollin e territorit.
Në verën e vitit 1995, forcat holandeze nën komandën e Kombeve të Bashkuara supozohej të mbronin popullsinë e qytetit kryesisht mysliman të Srebrenicës. Por ata nuk bënë asnjë rezistencë më 11 korrik të atij viti kur forcat etnike serbe nën komandën e Ratko Mlladiç sulmuan qytetin.
Forcat etnike serbe vranë rreth 8,000 burra dhe djem myslimanë , në atë që konsiderohet gjerësisht si gjenocidi më i madh në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
“Ne nuk mund t’ju çlirojmë nga kjo vuajtje. Por ajo që mund të bëjmë është ta shikojmë historinë drejt e në sy,” tha Ollongren gjatë ceremonive 27 vjet më vonë.