Kryeministri Edi Rama dhe komisioneri për Zgjerim i BE-së Olivér Várhelyi ndodhen në Vlorë, ku kanë inspektuar bypass-in e Vlorë, një projekt i ndërtuar me ndihmë financiare të Bashkimit Europian dhe që u hap për lëvizjen normale të mjeteve më 7 korrik.

Në fjalën e tij, Rama e vendosi theksin te nisja e procesit formal të negociatave me Bashkimin Europian në javën e ardhshme, ndërsa kërkoi nga komisioneri Varhelyi që të na zbulojë diçka më shumë nga mënyra sesi do të ecë rruga europiane e Ballkanit.

Kryeministri gjithashtu risolli në kujtesë plani shqiptaro-holandez, që ai me homologun e tij në Amsterdam, Mark Rutte përmendën pak ditë më parë, duke thënë se do të diskutohet në samitin e Pragës në tetor.

FJALA E RAMËS:

Ne rikthemi këtu me skuadrën e ARRAH-së, ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me punonjësit që këtu vazhdojnë të merren me detaje jashtë trasesë së rrugës, procese të rikualifikimit urban dhe mjedisor.

Sot u bë e mundur që një mik i çmuar, përveçse Komisioneri i BE për Zgjerimin të vinte këtu, në pamundësi për të qenë me ne në 7 korrik, gjë që lidhej me domosdoshmërinë për të çliruar fluksin e makinave sidomos në fundjavë. Sot është një ditë shumë e bukur këtu, është kënaqësi e jashtëzakonshme të ngjitesh e të shohësh këtë panoramë të mrekullueshme të Vlorës dhe gjirit të Vlorës. Por është edhe një ditë kur komisionieri mundet të na thotë diçka më shumë për atë që ne presim dhe që është fillimi formal i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Unë nuk dua të zgjatem në këtë pikë, gjërat i kemi thënë e stërthënë. Aktualisht Parlamenti i Maqedonisë së Veriut është mbledhur për të votuar propozimin francez, ndërkohë Shqipëria nuk ka asgjë për të bërë më shumë, sesa të presë e të shohim dritën jeshile të ndezur një orë e më parë.

Patjetër që do përsërisim se pavarësisht procesit formal të procesit ne do të vazhdojmë përditë me atë që duhet bërë çdo ditë që prej kohë kur negociatat duhet të ishin hapur. Patjetër ehe me punën e përbashkët me qeverinë holandeze për të siguruar që të kemi edhe propozime konkrete për në Samitin e madh të Pragës në tetor, lidhur me si mundet që Komiteti i ri politik Evropian të ecë me hapa konkretë që nuk e pengojnë procesin integrimit në BE, por e përfaqësojnë me veprime konkrete përfshirjen e Shqipërisë në gjirin e Europës së bashkuar. Siç ju premtuam ashtu edhe ju pritëm me diellin e Vlorës dhe ju falënderoj për gjithçka keni bërë deri më tani dhe që do vijoni të bëni me kokëfortësinë hungareze që ju karakterizon.