Nga Artur Ajazi/
Sali Berisha prej 10 muajsh po i referohet “rikthimit e partisë së tij në konservatorizmin e kulluar”. Ai po mbron me “zjarr” idenë e “pavarësisë dhe patriotizmit”. Ndoshta e kishte harruar, ose bënte sikur nuk e kishte neglizhuar edhe nevojën e “pavarësisë si parti politike nga çdo ndikim i huaj”, dhe patjetër këtu e kishte fjalën për atë amerikan. Prej Shtatorit deri sot, antiamerikanizmi në PD, ka njohur rritje të ndjeshme.
Si kurrë më parë, brënda shumicës së asaj partie, berishistët arritën të bëjnë për vehte, masën e mërzitur nga qëndrimi i gjatë me Bashën, dhe e ndikuan maksimalisht atë drejt ish-liderit historik. Berisha tha se “Partia Demokratike është përfaqësuesja e vlera më të mira konservatore, patriotike, dhe nuk do të tolerojë cënimin e pavarësisë saj politike. Askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e shumicës së demokratëve”. Në fakt, Berisha i kishte shpallur betejë të hapur jo vetëm ambasadores Kim, por edhe vendit nga vinte ajo, SHBA-së. Ideja se “mund të rrinte larg tryezave politike, apo dhe partisë që e mbajti për afro 3 dekada” e tmerronte Doktorin.
Të parët që u afruan me vrap drejt tij, ishin pikërisht ata, miolionerët e pushtetit tij. Ishin ata që vodhën dhe u pasuruan aq shumë, sa që kanë prona dhe para për të siguruar 3 brezat e tyre. Pra konservatori Berisha, ai që shprehej se “unë dhe partia ime, përfaqësojmë vlerat dhe virtytet më të mira të konservatorizmit dhe patriotizmit në Shqipëri”, u rrethua shpejt nga milionerët e tij. Ishin ata që të parët ju bashkuan padronit të partisë, dhe nisën të shprehen se “njohim vetëm Berishën kryetar, dhe se vetëm ai mund të na shpjerë drejt pushtetit”
Dhe deri diku, ja arritën qëllimit mund të themi. Para e madhe u nda në bazën e asaj partie, ndoshta jo nga Berisha, por nga ata që ai dikur u kishte bërë favore derisa i bëri milionerë. U blenë kryetarë seksionesh, anëtarë, sekretarë, kryetarë degësh, u presionuan kryetarët e forumeve, dhe u përdor teoria se “Basha punon me Ramën, na ka tradhëtuar ne dhe Doktorin”.
Nga ana e tij, Berisha në daljet e tij para mediave, në sallat e hapura dhe të mbyllura të Foltores, nuk ndante nga fjalimet “konservatorizmin, patriotizmin, nacionalizmin” dhe lloj-lloj broçkullash të tjera për të cilat baza as që e kishte idenë. Në rreshtat e para, duartrokisnin milionerët, bënin “tifo” ogiçë e tyre, duke ndarë copa letrash për komentuesit nga salla. Ajo që duhet thënë, mbetet zhgënjimi që sot kanë pësuar njerëzit e bazës nga premtimet e Foltores dhe kreut të saj.
Ata sot, nuk po shohin as emrat dhe figurat e reja në krye të forumeve, dhe as mendojnë se do të vijë dita që votimet në atë parti, do të jenë ndonjëherë të lira dhe të ndershme.Dhe e fundit,sikur nuk shkon,edhe konservator edhe milioner, edhe proamerikan edhe kryetar i përjetshëm. Kjo vlen për diktaturat dhe jo për vendet demokratike zoti Berisha.