Prej më shumë se 24 orësh kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen e boksit të Florian Markut në ‘Air Albania’, por ka nga ata të cilët janë të pakënaqur me çmimet. 29-vjeçari shqiptar e ka thënë se është ëndrra e tij më e madhe për t’i mundësuar shqiptarëve një ndeshje në vendin e lindjes, ndërsa pasi hasi shumë pengesa në organizim, tani përballet me kritikat e ndjekësve të tij.
Çmimet për të parë Florian Markun në ‘Air Albania’ më 25 gusht nisin nga 2 mijë lekë të reja deri në 19 mijë lekë.
“Mos të dukem gjë organizatori Boxxer ose SkySports unë? Unë menaxhohem nga dikush. A mendon se unë i vendos çmimet e biletave ose marr lekët e biletave? Kam bërë luftë për të ardhur këtë verë në Tiranë dhe ishte gati te prisheshe kontrata vetëm e vetëm për të ardhur e për t’u ndeshur në vendin tim! Me gjithë Zemër jam munduar sepse nuk kanë dashur ta bëjnë një organizim të tillë në Shqipëri. Jam munduar me Shpirt mbas 5 vitesh afërsisht të rikthehem në shtëpi. Biletat fillojnë nga 16 euro as ndeshjet e futbollit që zhvillohen çdo javë nuk e kanë atë çmim.
Të ishte për mua do doja të ndeshesha para 50.000 Shqiptarëve pa bileta, falas çdo gjë, për një titull Botëror, por më gjeni dikë që e organizon diçka të tillë edhe premtoj që do ndeshem për t’i bërë të gjithë Shqiptarët krenarë nëse: Organizatorët, Stadiumi, Televizionet, Këngëtarët, Ringu, Ndeshjet e tjera, Arbitrat, organizata ËBC që unë do ndeshem, nuk duan pagesë, unë jam i pari që ndeshem edhe do futem në Ring pa asnjë lloj pagese vetëm e vetëm për t’i bërë krenarë të gjithë Shqiptarët kudo që janë neper Botë siç kam bërë kaq vite jashtë vendit tim. Por të flasësh mbas një kompjuteri edhe të qahesh për 16 euro për një ndeshje që s’ka ndodhur kurrë në historinë e Boksit Shqiptar ESHTE TURP,”- ishte përgjigja e Florian Markut ndaj komentuesit në rrjetet sociale.