Emri i tij mund të jetë ndër më monumentalët në historinë e njerëzit dhe ndër ata, të cilët zor se do të harrohen ndër mijëvjeçarë.
Por, shumë e ndryshme mund të kishte qenë historia, nëse gjërat do të kishin marrë të tatëpjetën as më pak e as më shumë, por në qytetin e lashtë ilir të Dyrrahut, i njohur si Durrësi i sotëm.
Ishte data 10 korrik e vitit 48 para lindjes së Krishtit, ekzaktësisht 2 mijë e 70 vjet më parë.
Prej muajsh, Gnaeus Pompeius Magnus, i shkruar në histori edhe thjesht si Pompei, kishte ikur nga Roma pas kthimit së Jul Çezarit si triumfator nga Galia e largët – një betejë të cilën të gjithë e cilësonin si të humbur.
Një tjetër gjë, të cilën të gjithë mendonin se Çezari nuk do e bënte, pas lajmërimeve të Pompeit, ishte kalimi i lumit Rubicon, i cili gjeografikisht sot ndodhet në afërsi të Riminit.
Por Çezari ishte Çezari dhe jo vetëm që e kaloi Rubiconin, por me ikjen e Pompeit në drejtim të Dyrrahut së bashku me flotën e tij me 50 mijë burra, ai vendosi ta ndjekë e ta vrasë vetë.
Për disa muaj, Çezari u bë gati dhe u nis drejt Dyrrahut, ku vendosi edhe rrethimin e kampit të Pompeit. Një rrethim, i cili zgjati me muaj të tërë.
Thuajse e gjithë rruga Egnatia, e cila kalonte pikërisht mes rrethimeve të kampeve, u bllokua asokohe.
Prilli, maji e qershori kaluan dhe asnjë shenjë nuk kishte, se Pompei do të dorëzohej.
Sulmi i Çezarit, ishte i pashmangshëm dhe beteja përfundimtare, u zhvillua pikërisht më 10 korrik të vitit 48 para lindjes së Krishtit.
Dyrrahu, u kthye në fushëbetejën më të rëndësishme të botës, duke qenë se qendra e globit, ishte perandoria romake dhe fatet e saj, mund të ndaheshin aty.
Llogaritë veçse, nuk i pati bërë mirë Çezari, rrethimi i të cilit u shpërbë dhe Pompei, ia doli ta thyente atë.
50 mijë trupa të Pompeit përballë 28 mijë të Çezarit mund të përkthehen si një hartë e qartë fitoreje për të parin, por nuk duhet harruar se gjeniu ushtarak e politik, Çezari, nuk mund të mposhtej thjeshtë, e as ushtarët e tij.
Me ndihmën e Mark Antonit, një prej komandatëve të tij më të mirë, u arrit të vihej fre në luftë e të shmangej tragjedia, por Pompei, u arratis.
Mbi 2 mijë ushtarë pompeianë gjetën vdekjen.
Nga radhët e Çezarit, nuk kuptohet qartë, me disa versione në librat historikë, por mendohet se rreth 4 mijë çezarianë e humbën jetën.
Hesapet, u lanë më vonë në Egjiptin e largët, ku Pompei u arratis, por më pas u dënua me vdekje nga faraoni Ptoleme i XIII-i, vëllai i Kleopatrës.
Pikërisht aty, Çezari u njoh me mbretëreshën e Egjiptit të lashtë, me të cilën pati edhe marrëdhënie personale dhe fëmijë.
Por, Roma e priste Çezarin, dhe Çezari, donte Romën, ku edhe u vendos diktati i tij disa-vjeçar, nën të cilin perandoria romake kapi majat e lulëzimit.
Një histori, me rrënjë edhe ilire, për si u zhvillua.(Albaniapost)