Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 16 korrik miratoi propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian.
Votimi vjen pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për tre ditë është debatuar për këtë propozim. Debati u përcoll me kundërshtime e madje edhe me tentime për përplasje fizike.
Gjatë gjithë debatit, deputetët e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre.
Mes fishkëllimave të tyre, Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin para deputetëve, tha se Qeveria është e vendosur “të qëndrojë në rrugën e mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas përmes barazisë së tij me kombet evropiane”.
Propozimi francez parashikon kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.