Zhaklin Lekatari, gazetare e aktiviste e ftuar sot në emisionin “Fol me mua” të Rovena Dilos në Fax News u shpreh se pavarësisht se është paragjykuar shumë kur nisi të fliste hapur mbi problematikat e shoqërisë shqiptare apo temat që konsideroheshin ‘tabu’, tashmë njerëzit kanë filluar të kuptojnë se ajo po i qëndron një vije logjike dhe të vërtetës.
Lekatari u shpreh gjatë intervistës se shoqëria shqiptare ka shumë fenomene negative sepse shumica e njerëzve nuk pranojnë gabimet e tyre dhe arrijnë në fazën e “breakdown”.
Si themeluese e blogut të vetëm me përmbajtje seksuale në Shqipëri ajo tha se i mbron të drejtat e grave jo se financohet nga dikush por sepse kërkon të thotë të vërtetën dhe të kontribuojë në emancipimin e shoqërisë shqiptare.
Pjesë nga intervista:
Lekatari: Shoqëria jonë është hipokrite por emëruesi i përbashkët është frika dhe mos pranimi i vetes, me gabimet që ke bërë. Por herët ose vonë do të kesh një breakdoën, prandaj këtu ka shumë fenomene negative, dhunë, vetvrasje, pedofili. Nuk bëhen statistika këtu, 97% të vrasësve në botë janë burra që vrasin gratë. Mënyra si edukojmë fëmijët bën që të kemi këtë shoqëri.
Pyetje: Si ia bën me këta që të shajnë?
Lekatari: Ka ndryshuar situata vitet e fundit, më parë kisha më shumë njerëz që më krijonin bllokadë, më thonin ajo e degjeneruara, e përdala. Ndoshta se isha më e përulur, në atë punën time por tani këta thonë prit se nuk po e bën për tu bërë e famshme, por një njeri që ka një kontribut dhe ndoshta e ka mirë.
Në fund të ditës ka një vijë llogjike të cilës po i qëndron, tani e ndjej dashurinë e publikut, sidomos gratë dhe vajzat. Sa herë flasim për dhunën apo virgjërinë nuk ka angazhim nga institucionet. Nëse ne edukojmë dhe fuqizojmë vajzat, shoqëria është e zhvilluar.
Pyetje: Ke menduar të botosh libërtha që u shërbejnë njerëzve për tu informuar?
Lekatari: Kam shkruar diçka, nuk e kam botuar se nuk ndihesha gati. Doja të jem e maturuar, sepse edukimi seksual lidhet me filozofinë, shkencën etj etj. Jam goditur shumë në këto daljet e fundit mediatike, më dukej sikur më kishin vendosur në turrën e druve dhe më akuzonin, kisha frikë nëse publiku do perceptonte ngjarjen nuk e dija a po i bëja ballë dot këtij sulmi.
Por thashë rri me krenari dhe mos lejo të të zhvlerësojnë dhe rezultati ishte shumë i mirë. Nuk po më jep Soros para për të mbrojtur të drejtat e grave apo komunitetit LGBT, por unë dal dhe them të vërtetën, unë nuk dal dot kundër gjinisë time.