Pak ditë më parë Shërbimi Inteligjent Shtetëror publikoi raportin për vitin 2021.

Drejtuesit e SHISH kishin vendosur të evidentonin nga puna e tyre një rast se si u survejua e u zbulua një “diplomat” me mision rekrutimi nga zyrtarët me akses në informacione të klasifikuara.

Gjatë monitorimit të aktivitetit të një punonjësi të huaj të dyshuar të një agjencie inteligjente të një vendi jomik dhe me mbulesë diplomatike që, në këtë rast, po e quajmë me nofkën “Rezidenti”, u evidentua aktivitet i ngjeshur në kontakte me qytetarë të ndryshëm të vendit tonë, midis të cilëve edhe me punonjës të administratës qendrore e lokale, për shkak të funksionit diplomatik që përdorte si mbulesë.

Përparësia i këtij operativi është njohja e gjuhës shqipe dhe zhdërvjelltësia në krijimin e kontakteve.

“Është vënë re prirje e tij për të pasur qasje dhe për të mundësuar takime në zyra institucionesh që administrojnë informacion të klasifikuar, si dhe veprime për të shmangur mbikëqyrjen nga struktura të sigurisë.

Dyshimet e para se “Rezidenti” kishte nisur një operacion të mundshëm rekrutimi erdhën pas frekuentimit të disa kabinave publike telefonike, në orare të përafërta në ditë të caktuara të muajit, të cilat realizoheshin pas lëvizjeve në rrugët e qytetit në këmbë dhe me automjet, për t’u siguruar që të ishte jashtë rrezes së monitorimit të strukturave të specializuara.

Pritësi i thirrjeve telefonike ishte një shtetas shqiptar, punonjës në institucionin qendror A. Punonjësin këtu po e quajmë me emrin “Çelësi”, thuhet në Raportin e SHISH.

Gazetari Elton Qyno shkroi se agjenti “Çelësi”, i cili tentoi të shesë informacione të klasifikuara si sekrete shtetërore për një diplomat të huaj, nga vendet “jomiqësore”, dyshohet se ka qenë një punonjës pranë zyrës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, i cili tashmë është shkarkuar, sipas SHISH.

Në një shkrim të para disa ditëve Qyno shkruan se vetë SHISH, e evidenton në raport këtë agjent si punonjës të institucionit “A”, që sipas ndarjes alfabetike rezulton të jetë institucioni i parë i shtetit, Presidenca, dikaster ky që furnizohet në mënyrë të përditësuar me informacion sekret nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Shërbimi Informativ Ushtarak.

Sipas infove që ne kemi në presidencë shkojnë dy lloj informacionesh. Janë ato sekrete të NATO-së dhe ato të shërbimeve kombëtare si SHISH apo SHIU.

Të para pasi njihet presidenti ekzekutohen, ndërsa të dytat arkivohen sipas ligjit të sekretit shtetëror.

Vox News ka mësuar se SHISH ka pasur dyshime se nga presidenca po dilnin informacione.

Shqetësimi i është dërguar Metës nëpërmjet një ish-drejtuesi të SHISH që Meta kishte marrëdhënie të afërta.

Emrat për shkak se kemi të bëjmë me shërbime jo mike nuk do t’i bëjmë publike.

Po çfarë ka ndodhur në rastin konkret dhe kush janë emrat që dyshohen në presidencë?

Meta ka nisur menjëherë verifikimet dhe personi i parë i vënë në rreth ka qenë një përgjegjës i ruajtjes së Sekretit Shtetëror në Presidencë.

Pas shumë hetimesh, dyshimesh dhe aludimesh Presidenca u bind se personi në fjalë nuk ishte autori pasi përpos detyrës që mbante nuk kishte akses në përmbajtjen e shkresave sekrete.

Presidenti kërkoi ndihmën e bashkëpunëtorit të tij që të siguronte informacione shtesë.

Siç mëson Vox News, SHISH mendoi një zgjidhje tjetër duke i bërë një rrengë Presidencës.

Përpiloi një informacion sekret me përmbajtje shumë sensitive dhe ia dërgoi Presidentit.

Ky informacion i pavërtetë me qëllim ishte vetëm për Presidentin dhe nuk iu nis paralelisht dhe institucioneve të tjera siç është Kryeministria.

Pas disa ditësh SHISH dalloi se ky informacion kishte shkuar te ‘Rezidenti’.

Në presidencë u bë një tjetër hetim dhe rezultoi se personi që kishte pasur kontakt me ketë informacion ishte një këshilltar i Presidentit.

Emrin sërish për arsyet që thamë më lartë nuk do e publikojmë.

Mirëpo, skandali vijon e thellohet dhe më tej. Pasi Presidenti i cili po e kërkonte kaq shumë spiunin në gjirin e tij, nuk mori asnjë masë ndaj këshilltarit.

Edhe pse SHISH thotë se personi me nofkën ‘Çelësi’ u shkarkua nga detyra, sipas burimeve tona ai vijon të jetë punonjës i presidencës me detyrën këshilltar.

Kjo gjë, ka ndërlikuar marrëdhëniet e besimit mes SHISH dhe Presidencës ndërsa kanë dijeni kryeministri dhe partnerët perëndimor të Shqipërisë, të vendosur në vendin tonë.