Qytetarët nuk dolën në protestën e 7 Korrikut për Sali Berishën, por për veten e tyre. Kështu u shpreh ndër të tjera analisti Lorenc Vangjeli në emisionin ‘Kontrast’ të Report TV.
Në debat me deputeten demokrate Albana Vokshi, Vangjeli shtoi se Sali Berisha vazhdon të jetë një infeksion i politikës shqiptare.
“Edhe perlat që prodhohen në thellësi të oqeanit, në vetvete janë infeksion i midhjeve. Ata njerëz në protest janë perla. Sali Berisha vijon të jetë infeksion i rëndë i politikës dhe shoqërisë shqiptare” – tha Lorenc Vangjeli.
Ai shtoi në studion e ‘Kontrast’ se rilindja e opozitës në thelb është një lajm i mirë pasi tentativa e saj për të marrë një identitet opozitar, është kusht për të pasur një qeverisje të fortë.
“Një nga problemet e opozitës së djeshme dhe të sotme është që ka ndjekur kauza të gabuara, me mjete të gabuara me fjalor të gabuar. Nga krahu tjetër ka patur një naivitet të skajshëm politik që mendonte se një opozitë e dobët përkthehet në një qeverisje të fortë.
Është e kundërta. Lajmi i djeshëm është që rilindja e opozitës, tëntativa e saj për të marrë identitet opozitar, është lajm i mirë sepse është kusht për të pasur një qeverisje të fortë. Atë që kemi nevojë sot” – tha Lorenc Vangjeli në Report TV.