Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti në Iran të martën në udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt.
Putin do të takohet me liderin suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei dhe presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Eksportet e grurit, Siria dhe Ukraina janë në rendin e ditës që do të diskutohet në Teheran, tha një zyrtar turk.
Udhëheqësi rus ka kufizuar vizitat e tij ndërkombëtare në ish-shtetet sovjetike që kur shpërtheu lufta në Ukrainë.
Në qershor, Putin bëri udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar që nga shkurti, kur ai vizitoi Taxhikistanin dhe Turkmenistanin, të dy ish-anëtare të BRSS, tani të udhëhequr nga sundimtarët autoritarë dhe aleatë rusë.
Vizita e së martës i ofron zotit Putin mundësinë për të thelluar lidhjet me Iranin, një nga pak aleatët ndërkombëtarë të mbetur të Moskës dhe një objektiv tjetër i sanksioneve ekonomike perëndimore.
Kjo vjen pas akuzave të zyrtarëve amerikanë javën e kaluar se Teherani po planifikonte të furnizonte Rusinë me qindra drone për luftën e saj në Ukrainë. Dhe të martën, gjiganti rus i energjisë Gazprom nënshkroi një marrëveshje të re zhvillimi me vlerë 40 milionë dollarë (33 milion £) me kompaninë shtetërore të naftës të Iranit.
“Kontakti me Khamenei është shumë i rëndësishëm”, tha Yuri Ushakov, këshilltari kryesor i Putinit për politikën e jashtme, në një konferencë për media të hënën. “Një dialog besimi është zhvilluar mes tyre për çështjet më të rëndësishme në axhendën dypalëshe dhe ndërkombëtare.”