Tiranë, 1 Korrik – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet që po kryhen për zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Manastirliu tha se duhet të ecet me ritme të shpejta me punimet, me synim përmirësimin e kushteve të punës dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
“Jemi duke ecur mirë përsa i përket punimeve në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Sigurisht që nevoja është për të ecur me ritme më të shpejta edhe pse e dimë që ka një problematikë në lidhje me të gjithë investimet për arsye edhe të çështjeve që sot janë të ditës, që lidhen edhe me krizën në Ukrainë. Por ajo çfarë është e rëndësishme është që puna në kantierët e shëndetësisë nuk ka ndalur. Ne duhet të ecim akoma me ritme më të shpejta, në mënyrë që të ofrojmë sa më shpejt atë shërbim që ne duam për të gjithë nënat e reja në godinën e re të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, për të vijuar më pas fazën e dytë të projektit, që është rehabilitimi i godinës ekzistuese. Çfarë synojmë është jo vetëm një përmirësim radikal i ambienteve dhe i kushteve të punës, por mbi të gjitha edhe i ekspertizës i ofrimit të shërbimit”, tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit të punimeve në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, Ministrja Manastirliu tha se puna në kantieret e shëndetësisë për përmirësimin e shërbimit të nënës dhe fëmijës, nuk ka ndalur. “Po ecim mirë përsa i përket gjithë programit të nënës dhe fëmijës, qoftë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, qoftë në maternitein “Koço Gliozheni” ku edhe aty shumë shpejt përfundojnë edhe sallat e operacionit, ndërkohë që blloku i lindjes ka përfunduar. Gjithashtu edhe në maternitetin në spitalin e Kukësit, ku po vijon puna për gjithë korpusin spitalor dhe brenda këtij viti përfundon edhe ky investim”, tha Manastirliu.
Me projektin për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” do të ndërhyhet në tre plane: Ndërtimi i ri me 3 kate dhe një kat nëntokësor, I cili është drejt përfundimit; rikonstruksioni i plotë i godinës historike, që do ruajë detajet e arkitekturës unike në fasadën e saj por dhe në hapësirat e brendshme të kësaj godine; zgjerimi i objektit ekzistues të Obsetrikës. Investimi në këtë maternitet është një kantier i madh prej mbi 6 mijë metër katror, ku pjesën kryesore e zë godina e re, që përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obsetrikës dhe Gjinekologjisë.