Tiranë, 15 Korrik – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet që po kryhen në Spitalin Universitar të Truamës.
“Investimi në Spitalin Universitar të Traumës për rindërtimin e Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme po ecën me ritme shumë të mira dhe do të jetë një model fantastik brenda këtij korpusi spitalor”, tha Manastirliu.
Qëllimi i investimit është përmirësimi dhe rritja e kapaciteteve të shtrimit dhe të shërbimit ambulator pranë Pavionit të Sëmundjeve të Brendshme 1 dhe 2 dhe rritjes së eficiensës së kujdesit shëndetësor.
Ky investim do të garantojë rikonstruksion tërësor të godinës ekzistuese, rinovimin dhe pajisje, me qëllim modernizimin dhe përmirësimin e shërbimeve që do të ofrohen, riorganizimin funksional i godinës ekzistuese me qëllim optimizimin e shfrytëzimit të hapësirave të brendshme, realizimin e shtesës anësore me qëllim rritjen e kapaciteteve, ndëtimin e urës lidhëse të godinës që do të rikonstruktohet, me Korpusin Qendror të SUT.