Shëngjin, 19 Korrik – Nga data 15 Qershor më shumë se 11 mijë pushues kanë marrë shërbim në 29 qendrat shëndetësore verore, me shërbim shëndetësor 24/7 për pushuesit në zonat turistike.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka parë nga afër organizmin e qendrës shëndetësore verore Shëngjin, një ndër zonat më të populluara me pushues.

“Deri tani janë më shumë se 11 mijë shërbime për 11 mijë qytetarë, të cilët kanë marrë shërbimet në qendrat shëndetësore verore, qofshin ato pushues vendas, qofshin edhe turistë që kanë ardhur nga jashtë. Janë rreth 3 mijë turistë, të cilët kanë marrë shërbime në qendrat tona shëndetësore verore”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha nga Shëmgjini se qendrave shëndetësore verore do t’i shtohet një shërbim i ri, pasi do të ofrohet dhe vaksinimi anti-covid falas.

“Në 29 qendrat shëndetësore verore po ofrohet dhe vaksinimi falas. Kemi vendosur që ta ofrojmë dhe vaksinimin kundër covid në qendrat shëndetësore verore sepse e dimë që aksesi i madh, por edhe nevoja e qytetarëve për të marrë shërbime aty ku ato janë, edhe kur ato janë me pushime nuk ka pse të mungojë mundësia për t’u vaksinuar edhe në qendrat shëndetësore verore”, bëri me dije Manastirliu.

Duke folur për koordinimin gjatë sezonit veror të strukturave shëndetësore, Manastirliu tha: “Ka pasur një koordinim shumë të mirë edhe me Qendrën e Urgjencës Kombëtare, me spitalet tona nga veriu në jug. Edhe nëpërmjet shërbimit të helikopterit, ku kemi aksesuar shumë raste të urgjencës në kohë reale, me të vërtetë ka qenë një zgjidhje shumë e mirë, shumë efektive edhe për këtë vit dhe janë rreth 60 misione të kryera”.

Janë 29 QSH verore 24-orëshe të hapura në të gjithë vendin, nga veriu në jug, nga zonat turistike malore në bregdet përgjatë sezonit turistik veror gjatë periudhës 15 qershor–15 shtator. Në veri funksionojnë 8 qendra shëndetësore, nga të cilat katër janë në zonat turistike malore (Valbonë, Razëm, Tamarë dhe Theth) dhe katër të tjera në plazhet Velipojë, Rrjoll, Shëngjin e Tale në Lezhë. Në Durrës funksionojnë 4 qendra shëndetësore, konkretisht në plazhet Gjiri i Lalëzit, Currila, Plazhi i Vjetër dhe Shkëmbi i Kavajës, ndërsa në Kavajë funksionojnë qendrat 24-orëshe në plazhet Golem dhe Mali i Robit.

Në rajonin e jugut funksionojnë këto qendra shëndetësore verore: Në Pogradec; në Lushnjë në plazhin e Divjakës; Në Fier në plazhin e Darëzezës; Në Vlorë në katër plazhe, konkretisht në Zvërnec, Plazhi i Vjetër Vlorë, Radhimë, Orikum; Në Bashkinë Himarë: Palasë, Dhërmi, Drimadhes, Himarë, dhe Qeparo. Në Sarandë në plazhet Borsh, Ksamil i vjetër dhe Ksamil i Ri.