46 anije peshkimi nga Shëngjini, Durrësi, Vlora dhe Saranda, janë shpallur fituese të një mbështetjeje financiare përmes programit të Bashkimit Europian “Fishing Blue”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga firmosja e kontratave në portin e Shëngjinit.
“Sot, me mbështetjen e qeverisë, 46 anije peshkimi nga Shëngjini, Durrësi, Vlora dhe Saranda, janë shpallur fituese të një mbështetjeje financiare përmes programit të Bashkimit Europian “Fishing Blue”, për të zhvilluar teknologjikisht pajisjet e tyre të lundrimit, në funksion të rritjes së mëtejshme të sektorit, sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së mjedisit”, shkruan Rama.
“Në vitet e fundit kemi më shumë sesa pesëfishuar eksportin e prodhimeve të peshkimit”, thekson kryeministri.
46 operatorë të peshkimit janë përfitues të thirrjes së tretë të granteve të peshkimit me një shumë investimi mbi 820 mijë euro, e cila mbylli aplikimet në fundi të muajit qershor.