Kuvendi mblidhet sot pasdite në seancë plenare për të votuar dekretet e presidentit Bajram Begaj për ndryshimet propozuara nga kryeministri Edi Rama ne qeveri.

Propozimet e Ramës për shkarkimin nga detyra e zv/Kryeministrit Arben Ahmetaj dhe emërimin ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në këtë detyrë, si dhe emërimi i Majlinda Dhukës si ministre shteti për Integrimin, që njëherazi do të jetë dhe kryenegociatore e Shqipërisë gjatë procesit të anëtarësimit në BE, mbërritën në zyrën e Begaj një ditë pasi ai mori detyrën, i cili një ditë më vonë nënshkroi dekretete e propozuara nga Rama.

Rama argumentoi se këto ndryshime, me faktin se procesi rindërtimit u mbyll dhe fokusi që qeveria do ketë për punën e saj, do të jetë tek energjia dhe tek integrimi. Opozita kërkoi që votimi i dekreteve të shoqërohet edhe me debat në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj, ndryshimi i strategjisë së punës së qeverisë duhet të diskutohet në kuvend. Por kjo kërkesë e opozitës u rrëzua nga mazhoranca dhe votimi i ndryshimeve në kabinetin qeveritar do të jetë pa debat. Megjithatë PD si e Alibeajt edhe e Rithemelimit, do të jenë të pranishme sot në seancën plenare.