Kashari mbylli procesin e përzgjedhjes për kryetarët dhe bashkëkryetarët e Partisë Socialiste të Tiranës, pas të cilit pritet të shpallen drejtuesit e rinj për të gjitha njësitë e qarkut. Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, njëherësh kryetar i PS për Tiranën, Erion Veliaj, tha se Kashari dhe Astiri e fitoi betejën me ata që penguan zhvillimin e kryeqytetit.

“Kashari, Astiri, ka qenë vendi ku vinin bast të gjithë; thonin njerëzit aty nuk duan autostrada, nuk duan zhvillim, duan më shumë partinë se familjen e tyre; duan me shumë sherrin sesa paqen, duan më shumë dhunën se sa dashurinë. Sot mund të them me kënaqësi dhe krenari të madhe se kush e vuri atë bast e ka humbur. Kashari është si çdo pjesë tjetër e Shqipërisë. Do punën, do mirëqenie, do progres, do që gjërat të ecin përpara, do që njerëzit të pajtohen, do që – siç është Tirana, shtëpi e një 144 kombësive – edhe Kashari të jetë një shtëpi e të gjithë shqiptarëve, të jetojnë me begati”, tha ai.

Veliaj tha se Ilir Meta dhe Sali Berisha kërkojnë të na kthejnë pas në vitet ‘90 me politikën e tyre ‘përça dhe sundo’. “Kur dëgjoja fjalimet e kësaj jave të Ilir Metës e të Sali Berishës, që bënin thirrje për dhunë – ‘ta marrim me çdo mjet’ – e krahasojnë pushtetin me selinë e tyre, se te selia e tyre e marrin me çdo mjet, me qysqi, me vare, me gaz lotsjellës, me shkop bejsbolli. Por Shqipëria nuk është SHQUP-i! Kur dëgjon Saliun dhe Ilirin, ata mbjellin helm që ju të përçaheni, që ju të ndaheni, të shkatërroheni, që ju t’i ngulni thikën njëri-tjetrit. Kjo politikë funksiononte në vitet ’90. Përça dhe sundo! Ne jemi racë tjetër. Në një vend që është Kryeqyteti Europian i Rinisë, në një vend që ka hapur negociatat me BE, pra ka hipur në tren dhe po shkon në destinacion, ne nuk jemi raca përça dhe sundo. Ne jemi raca bashko, dashuro, ndihmo, fuqizo! Kështu ecet përpara”, vijoi Veliaj.

Ata – tha Veliaj – e njohin Kasharin vetëm nga tabela për Rinas dhe nga tabela për Lalëz. “Këta e njohin Kasharin vetëm si një tabelë tranziti kur kalojnë për të ikur nga Shqipëria në Hollandë. E kam fjalën për atë tjetrin, se Saliu nuk ikën dot në asnjë vend – ose kur ikin në Lalëz. Pra,Saliu me Ilirin vijnë në Tiranë, hedhin helmin që ne të merremi me helmin e tyre, dhe pasi kanë hedhur helmin thonë le të zihen njerëzit, shkojnë fusin këmbët në pishinë në Lalëz. Për ta Kashari është transit!”.