Duke i shprehur ngushëllimet failjarëve, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka reaguar për ngjarjen ku mbeti i mbytur 18-vjeçari Anri Kashiku.

Ministria sqaron se në vendin ku ka ndodhur ngjarja ka pasur vrojtues i cili edhe pse kishte vendosur flamurin e kuq si paralajmërim për të mos u futur në det ka ndërhyrë menjëhjerë.

Vrojtuesi ka ndihmuar dy të miturit të cilët janë nxjerrë në breg dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Fatkeqsisht në breg nuk mundi të dal 18 vjeçari, Anri kashiku i cili u fut në ujë për të ndihmuar vëllain e tij dhe shokun.

 

Reagimi i plotë: 

Sqarim i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i shpreh ngushëllimet familjarëve për humbjen e të dashurit të tyre Anri Kashiku, që nuk arriti t’i shpëtonte dallgëve në bregdetin e Durrësit.

MTM dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit kanë qenë në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Vendore të Policisë në Durrës, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Në informim të opinionit publik pas raportimeve të ndryshme në media, sqarojmë se pas veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, rezulton se plazhi ka pasur vrojtues bregdeti, konkretisht shtetasin I.Sh. i certifikuar me numër matrikulle 00987, ndërhyrja e të cilit ka qenë e menjëhershme në ngjarjen e datës 14 korrik.

Ditën e djeshme, në kushtet e dallgëzimit të lartë, vrojtuesi i plazhit ka vendosur sipas rregullores flamurin e kuq, shenjë paralajmëruese për të mos u futur në det. Pavarësisht kësaj, fëmijët kanë hyrë në det duke rrezikuar jetët e tyre.

Gjatë kohës që kanë qenë në det, fëmijët duke hasur vështirësi kanë kërkuar ndihmë. Menjëherë për të ndihmuar fëmijët, në det janë futur vrojtuesi i plazhit I.Sh. dhe i ndjeri Anri Kashiku, vëllai i njërit prej të miturve.

Ndërhyrja e vrojtuesit rezulton se qenë vendimtare për shpëtimin e dy fëmijëve, të cilët pas ndihmës së dhënë janë nxjerrë në breg. Ndërkohë fatkeqësisht 18-vjeçari nuk ka mundur të dalë dot pasi është mbytur për shkak të dallgëve të larta.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i shpreh edhe një herë ngushëllimet më të sinqerta familjes Kashiku.