29 kanë qenë vatrat e zjarrit të konstatuara në të gjithë vendin 24 orët e kaluara. Lajmin e ka dhënë Ministria e Mbrojtjes duke bërë me dije se janë ende aktive 7 vatra zjarri dhe 22 prej tyre janë vënë nën kontroll. Ndërkohë një tjetër vatër është raportuar që në orën 12:00 të ditës së sotme në Orosh të Mirditës ku rrezikohen banesat dhe 5 orë më vonë, është bërë e mundur ndërhyrja nga ajri.
Zjarri i rënë i favorizuar dhe nga temperaturat e larta u është afruar banesave të fshatrave në këtë zonë duke rrezikuar edhe jetët e banorëve. Flakë janë shumë afër shtëpive. Përveç helikopterit që po ndërhyn nga ajri për shuarjen e zjarrit, edhe forcat zjasrrfikëse vijojnë të jenë në operacion.
Ndërkohë që në zonën e Kepit të Rodonit në Durrës prej 10 ditësh një vatër zjarri vijon që të jetë aktive. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 20 zjarrfikës, 40 ushtare dhe 1 helikopter i cili ka ndërhyrë nga ajri. Zjarri nuk rrezikon banesat, ndërsa terreni i thyer e ka bërë të vështirë shuarjen e flakëve prandaj janë kërkuar përforcime.
Zjarri është fikur disa herë, por është riaktivizuar për shkak të gjetheve të cilat kanë përhapur flakët lehtësisht në terren.
Report Tv mëson se zjarri vijon të jetë aktiv edhe në Zgërdhesh të Krujës ku është kërkuar ndërhyrja e helikopterit.