Termi diferencim politik, u përdor për herë të parë gjerësisht mes shqiptarëve pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, ku regjimi jugosllav ndërmori një fushatë diferencuese mes shqiptarëve. Duhet të shpreheshe pro apo kundër demonstratave për të ruajtur vendin e punës dhe statusin brenda sistemit jugosllav.

Procesi u përpoq të poshtëronte një shtresë të madhe shoqërore në Kosovë, intelektualë, akademikë, shkrimtarë, gazetarë dhe sidomos politikanë të Kosovës, që synonin karrierën brenda sistemit. Disa prej tyre, falë diferencimit të fortë ndaj demonstrative, duke i dënuar ato si anti-jugosllave, shkuan në majë të piramidës.

Sali Berisha është i dyti pas regjimit serb në Ballkan, që po rikthen diferencimin politik, si instrument besnikërie dhe kusht për karrierë brenda partisë së tij.

Pas ndëshkimit të Britanisë së Madhe si person i përfshirë familjarisht në korrupsion madhor dhe me lidhje me krimin e organizuar, Sali Berisha ka rreshtuar gjithë piramidën e PD së vet, të diferencohet ndaj këtij ndëshkimi. Pra të shprehen kundër ndëshkimit të tij individualisht, që të gjithë.

Dhe këtu janë prishur pak rregullat, pasi edhe pse të gjithë ngjajnë si idiotë, ka disa që janë edhe më idiotë, duke futur një shpirt konkurrence të paparë se kush të thotë marrëzinë më të madhe. Reagimet duhen ruajtur të printuara diku, pasi në të ardhmen ato mund të shërbejnë si dokumentet më origjinale të kësaj fushate poshtëruese në Shqipëri, ku një lider rreshton gjithë partinë nën moton, “ose me mua, ose me Perëndimin”.

Çfarë nuk lexon në ato reagime. Lexon që Toni Blair, një kryeministër liberal, armik i konservatorëve britanikë, ka korruptuar konservatorët britanikë për llogari të Edi Ramës. Jam shumë i çuditur se si Cherry Blair, gruaja e Toni Blair, që merrte 270 mijë paund çarterin për t’u takuar me Liri Berishën më 2010, nuk ja ka mbajt dorën burrit të saj, duke i thënë “fali këta se na kanë dhënë dhe ne lekë”.

Idiotësitë vazhdojnë me faktin që Britania s’ka qeveri legjitime se qenka dorëhequr Boris Johnson (Gjonsoni siç e shqiptojnë ne PD) apo dhe tek fakti që Xhorxh Sorosi, një nga armiqtë e mëdhenj të Britanisë së Madhe, mund të ketë ndikuar sërish.

Gara e idiotëve është kush t’i hyjë më shumë në qejf Berishës kundër Perëndimit.

Ajatollahët në Iran, nuk shkojnë deri në këtë pikë poshtërimi të personaliteteve të tyre. Atyre u mjafton besnikëria e tyre, nuk u duhet dhe devotshmëria kundër SHBA apo Perëndimit.

Ky standard poshtërimi që Sali Berisha ka vendosur për mbështetësit e vet, si kusht për të vazhduar karrierën në Partinë Demokratike, pra deklarimi i urrejtjes ndaj Perëndimit, është nga ana tjetër gjëja më e rëndë që i ka ndodhur politikës shqiptare prej vitit 1912. Edhe Haxhi Qamili, që ishte një lëvizje anarkiste kundër projektit perëndimor të Shqipërisë, nuk e kishte kusht të ishe me të, që duhet të ishe doemos kundër “Ingliterës dhe austriakit”. Thjesht nuk i kishte qejf, se i përziheshin në punët e veta në Ndroq.

Kjo që po bën Sali Berisha, i cili po vendos standard për karrierën në PD, përbaltjen e Perëndimit, është intifadë kundër Perëndimit nga një strukturë politike në Shqipëri.Dhe për këtë duhet riparë ligji i partive politike, pasi Shqipëria po njolloset si një vend ku ka lëvizje zyrtare anti-perëndimore.

Dhe për ta kuptuar këtë, shikoni diferencën e lirisë mes atyre që janë rreshtuar pas Berishës dhe mbi 30 deputetëve të tjerë që nuk janë me të. Aty ti e kupton çdo të thotë të rreshtohesh pas një demoni si Sali Berisha dhe çdo të thotë të jesh njeri i lirë.

Gjithçka është e diktuar prej tij, për ti poshtëruar e inkriminuar si anti-perëndimorë. Se vetëm kështu mendon që nuk e tradhtojnë më.