Kryeministri hungarez Viktor Orban u tha gazetarëve të enjten se Ukraina nuk mund ta mposht Rusinë me strategjinë aktuale të mbështetjes së NATO-s, ndërsa paralajmëroi gjithashtu për pasoja të tmerrshme për ekonominë evropiane.
“Kjo luftë në këtë formë nuk mund të fitohet”, tha Orban, duke folur së bashku me kancelarin austriak Karl Nehammer në Vjenë.
Orban shtoi se strategjia e vendeve të NATO-s për të mbështetur Ukrainën me armë dhe stërvitje ka treguar deri më tani se nuk do të çojë në sukses, raporton CNN.
“Pa ndryshuar strategjinë, nuk do të ketë paqe”, tha ai, duke paralajmëruar se, pa paqen në Ukrainë, i gjithë Bashkimi Evropian do të shtyhet në një situatë lufte.
“Nuk është e qartë se si mund ta shmangim recesionin në BE nëse lufta vazhdon”, shtoi Orban.
Të dy udhëheqësit paralajmëruan kundër mundësisë së një embargoje nga Bashkimi Evropian ndaj gazit rus.
“Ne u ndeshëm me një mur pikërisht tani, dhe ai mur quhet embargo gazi, dhe unë do t’i sugjeroja BE-së që të mos trokasim në atë mur”, tha Orban, ndërsa Nehammer paralajmëroi se një embargo e tillë nuk është e mundur.
“Jo vetëm sepse ne si Austri jemi të varur nga gazi rus. Industria gjermane është gjithashtu e varur nga gazi rus. Dhe nëse industria gjermane shembet, industria austriake shembet”, tha Nehammer, duke shtuar se kjo situatë mund të rezultojë në papunësi masive.
“Ka shumë njoftime nga Komisioni i BE-së, por shumë pak janë duke u zbatuar”, tha ai, në lidhje me veprimin e BE-së për krizën energjetike, duke shtuar se nuk ka asnjë shenjë të zbatimit të platformës së përbashkët të blerjes së gazit që u propozua nga Komisionit të BE-së.
Ai tha se duke pasur parasysh presionet aktuale në tregun e energjisë, kjo platformë e përbashkët do të ishte më e rëndësishme se kurrë.