Ilir Meta i ndryshoi emrin partisë që themeloi vetë 18 vite më parë dhe LSI kalon nga një parti pro integrimit e që integrimin e kishte në emër, në një parti sovraniste.
Emri i ri i partisë është Partia e Lirisë, që u miratua pa asnjë kundërshtim. Meta de jure do të drejtojë komisionin që u ngrit për zgjedhjen e strukturave të partisë së re, por de fakto gjithë partinë. Monika Kryemadhi u largua dhe nuk ishte pjesë e strukturave të përkohshme të Partisë së Lirisë.
Në Konventën që zgjati rreth 100 minuta u vunë re disa detaje. Ilir Metës i janë larguar bashkëpunëtorët kryesorë që la në LSI në 2017-n, ku i ka ngelur vetëm Petrit Vasili, ndërsa u përdorën për të përmirësuar imazhin e partisë së re Agim Nesho, Petraq Milo e Tedi Blushi.
Monika Kryemadhi nuk foli fare në Konventë dhe gjatë fjalës së Metës, që mbizotëroi punimit nuk u përmend për asnjë moment, qoftë vlerësimi apo vërejtje për mënyrën se si e drejtoi LSI-në në këto pesë vite.
Veç Kryemadhit, Meta foli për oligarkë ‘që luajnë me dy porta’, por nuk përmendi asnjë emër oligarku. Nuk përmendi as Sali Berishën, përveç një momenti kur kujtoi liberalizimin e vizave me Serbinë. Nuk foli as nëse do të bashkëpunojë me të, ndoshta i trembur nga fakti që ai është i shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania e Madhe.
Meta nuk e përmendi për asnjë rast emrin e Edi Ramës, pavarësisht se hodhi në drejtim të tij akuza të rënda, deri për shitje të detit dhe interesave kombëtare, por përmendi me bollëk Lulzim Bashën.
Konventa përforcoi bindjen se brenda opozitës ka lindur rivaliteti për audiencë mes Metës e Berishës. Ky i fundit paralelisht kishte një takim në Fier me në fokus reformën territoriale.
Salla ishte e mbushur edhe me të rinj, për të krijuar idenë se LSI dhe partia e re që themelohet nga baza e saj janë parti e të rinjve.
Nuk përmendi asnjë fjalë për integrimin, por fjalimi ishte i mbushur me doza të forta sovranizmi, duke kaluar ylberin nga LSI, një parti që integrimin e kishte në emër, në Partinë e Lirisë me arsyetimin se vendi ishte në rrezik.
Në fjalime u përmend Havzi Nela, nënkryetar i LSI u zgjodh Agim Neshi, dhëndri i Hysni Kapos.