Personi i cili dyshohte se është spiunuar nga ish-Presidenti, ish-Kryeministri dhe ish kryetari i Kuvendit të Shqipërisë në Sigurimin e Shtetit në komunizëm është Filip Talo. Report Tv mëson se ai ka qenë shok në fakultet me Ilir Metën dhe që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë kërkesën për autoritetin e dosjeve me akuzën se Meta është spiun i sigurimit.

Filip Talo ka thënë se është spiunuar nga I. M për një tentativë për arratisje në kohën e komunizmit. Ndërkohë, ish-presidenti e mohon të jetë ai personi që përmendet në shkresën e Autoritetit të Dosjeve, me pretendimin se ka disa persona me emrin Ilir Meta. Ai jeton në SHBA, ishte shoku i I.M në vitet 90- 91, (ose më herët ’88 – ’89), të cilit i ka treguar planin për t’u arratisur nga Shqipëria. I.M e ka dekonspiruar planin te Sigurimi dhe Sigurimi e ka kapur para arratisjes, dhe i kanë thënë: Ose futu në burg ose bashkëpuno me ne! F.T ka qenë 19 vjeç në atë kohë dhe ka pranuar që të bashkëpunojë dhe sot pas kaq vitesh, ka kërkuar dosjen e vet për të zbuluar se kush e spiunoi! Në këtë dosje, del emri I.M.

Verifikimet për figurën e Ilir Metës nisën në 25 korrik, kur në adresën personale të titullares së institucioni, Gentiana Sula erdhi një e-mail nga një person i paidentifikuar. Personi i panjohur pretendonte se në dosjet të caktuara të sigurimit figuronte emri i kreut të Partisë së Lirisë. Duke i dhënë indicie të qarta se ku të kërkonin, personi pretendonte për zhdukje të disa materialeve. Nga kërkimi rezultoi se Meta figuron në dosje të personave të tjerë se vullnetarisht kishte spiunuar një shok që donte të arratisej.

Report Tv siguroi sot dokumentin ekskluziv të Autoritetit të Dosjeve që zbulon se Ilir Meta është politikani i lartë i Shtetit që përmendet në dosjen e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Në dokumentin e ekskluziv të Autoritetit të Dosjeve të siguruar nga Report Tv thuhet se ish-presidenti Meta rezulton bashkëpunëtor i Sigurimit të shtetit dhe nëse verifikimi i Metës do të bëhej sot certifikata e pastërtisë së tij do të ishte ndryshe. Autoriteti i Dosjeve i kërkon Kuvendit të Shqipërisë që të verifikohen politikanët që dolën në të pastër në Komisionet në vitet ’90. Autoriteti i Dosjeve, me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten më, kërkojnë miratimin e propozimit për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë./Shqiptarja.com