Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian po takohen sot në Bruksel për të shqyrtuar sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë. Udhëheqësit evropianë do të diskutojnë rreth një propozimi për ndalimin e eksporteve të arit rus me shpresën se masat përfundimisht do të fillojnë të kenë një ndikim vendimtar ndaj luftës në Ukrainë.
Duke folur para takimit, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha se për momentin gjëja më e rëndësishme është ndalimi i importit të arit rus, që zë vendin e dytë të eksporteve ruse pas energjisë. Ai tha se vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë ishte vendimi i duhur pavarësisht rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë.
“Disa udhëheqës evropianë kanë thënë se sanksionet ishin të gabuara. Mendoj se sanksionet ishin gjëja e duhur dhe duhet të vazhdojmë, (me zbatimin e tyre). Disa thonë se ndalimi i naftës ruse ka rritur çmimet e karburantit. Por të dhënat tregojnë se çmimet po bien”.
Zoti Borrell tha se Kremlini e ka përdorur kundër vendeve të bllokut varësinë e tyre ndaj gazit rus. Por ai tha se vendet e Bashkimit Evropian po përgatisin plane për të përballuar çdo situatë të mundshme dhe se BE-ja nuk do ta ndalojë mbështetjen për Ukrainën.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se shpresonte në arritjen e një marrëveshje këtë javë me Rusinë për zhbllokimin e porteve ukrainase për eksportimin e drithërave. Dhjetëra mijëra jetë njerëzish varen nga arritja e marrëveshjes mes mungesës së ushqimeve në disa vende të botës.
Kryediplomati i Bashkimit Evropian theksoi rëndësinë e sanksioneve ndaj luftës në Ukrainë. Paketa gjithëpërfshirëse e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë përfshin embargon e naftës, ndalimin e transasksioneve dhe ngrirjen e aseteve të bankës qëndore ruse dhe ndalimin e investimeve të reja në Rusi.
“Është e rëndësishme të tregojmë mbështetjen afatgjatë për Ukrainën. Rusia po përpiqet të na sosë durimin por ne po i përgjigjemi me unitetin tonë evropian dhe transatlantik”, tha Anna Luehrmann, shefe e diplomacisë gjermane për bllokun.
Ndër temat e diskutimeve të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropain është edhe miratimi i një tjetër pakete ndihmash prej 500 milionë euro për furnizimin me armë të Ukrainës, duke e çuar mbështetjen e bllokut në dy miliardë euro që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë më 24 shkurt./ Marrë nga VOA