Ministria e Brendshme informon sot qytetarët se të gjitha shërbimet që janë ofruar online deri më sot, përkohësisht do të ofrohen fizikisht pranë sporteleve përkatëse, që u përkasin gjithë institucioneve të varësisë, veçanërisht Policisë së Shtetit dhe Gjendjes Civile.

Ministria e Brendshme sqaron se ky ndryshim i përkohshëm i praktikave vjen si rezultat i pamundësisë së ofrimit të shërbimeve online nëpërmjet platformës e-Albania, e cila si pjesë e infrastrukturës teknologjike shtetërore ka rënë pre e një sulmi kibernetik, të sofistikuar dhe të sinkronizuar jashtë Shqipërisë.

“Deri në zgjidhjen e kësaj situate, qytetarëve do të vijohet t’u ofrohet shërbimi pranë sporteleve fizike të institucioneve të varësisë. MB, është në kontakt të vazhdueshëm me AKSHI-n dhe po punojnë intensivisht për normalizimin e kësaj situate të pazakontë dhe të panjohur më parë në këto përmasa. Ministria e Brendshme kërkon mirëkuptimin e gjithë qytetarëve për vështirësitë e krijuara”, thuhet në njoftim.