Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi së bashku me Alexis Hupin, i Ngarkuari me Punë në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, dhe përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së morën pjesë në një takim me 19 studentë shqiptarë fitues të bursave të Programit Erasmus Mundus për vitin e ardhshëm akademik.

Ministrja Kushi u shpreh se këta studentë kanë mundësinë të studiojnë në universitetet më të mira evropiane dhe të përfitojnë nga shkëmbimi i përvojave kulturore me bashkëmoshatarët e tyre të BE-së.

Gjatë fjalës së saj znj. Kushi vuri theksin tek eksperienca që këta studentë sjellin në Shqipëri nga vendet evropiane ku shkojnë të studiojnë, duke shtuar energji të re, frymë të re dhe vlerë të shtuar në institucionet e vendit.

“Pres me padurim që këta të rinj të shkëlqyer të kthehen pas studimeve dhe të japin kontribut të vyer për Shqipërinë tonë të dashur”- shprehet znj. Kushi në statusin e saj në rrjete sociale.
Ajo shpreh mirënjohje për delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri për mbështetjen e vazhdueshme që jep në fushën e arsimit!

Erasmus Mundus është një program ndërkombëtar prestigjioz bashkëpunimi dhe mobiliteti për arsimin e lartë, i cili synon rritjen e cilësinë dhe promovimin e dialogut dhe mirëkuptimin midis njerëzve dhe kulturave të ndryshme.