Mjeku i njohur, Tritan Kalo e ka festuar krejt ndryshe 66-vjetorin e tij. Në shenjë vlerësimi për kontributin shumëvjeçar në mjekësinë shqiptare, atij iu rezervua një pritje e veçantë nga Bashkia e Tiranës dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
Së bashku me miq e familjarë, Kalo u ndje i vlerësuar teksa mori një dhuratë simbolike nga kryebashkiaku në këtë ditë të veçantë.
“Si kryetar i Bashkisë, por edhe si shok, si mik dhe si qytetar i këtij qyteti, te cilin e ndajmë sebashku – nje qytet qe nuk është perfekt, por që është mirënjohës – doja t’ju benim një urim të veçantë në këtë ditë të veçantë të lindjes, për të gjithë kontributin e paçmuar. Ti je një “vrapues” i qytetit tonë, i këtij qyteti që gjithmonë e më shumë duhet të vlerësojë të mirën, duhet të frymëzohet nga e drejta, nga paqja, nga ata që i bashkojnë dhe nuk i përçajnë njerëzit. Profesor Tritan Kalo është padyshim figura më dinjitoze e këtij përshkrimi,” tha Veliaj.
Kryebashkiaku shprehu mirënjohjen e veçantë për kontributin e gjatë të mjekut të njohur infeksionist, i cili ishte edhe në krye të betejës më të fundit dhe më të vështirë, atë me pandeminë e Covid 19.
“Dua të flas edhe në emër të atyre që kanë provuar mirësinë tënde, kujdesin tënd, por ndoshta nuk kanë patur kurrë mundësi të të thonë faleminderit. Faleminderit për gjithë mirësinë, dashurinë, përkushtimin, që na provuar çdo ditë se e mira triumfon mbi të keqen, se drita, mençuria triumfon mbi injorancën, mbi errësirën, dhe se ky qytet e ka tabanin e fortë. E di që ndonjëherë, ndoshta pa dashje, ndoshta me qëllim, një minorancë e zhurmshme merr më shumë vëmendje, merr më shumë jehonë, dëgjohet më shumë, por ata nuk jane shumica e qytetit. Pjesa dërrmuese e njerëzve janë të mirë, janë të ditur, janë të mençur, investojnë në dije, investojnë në shkencë, besojnë tek njerëzit me reputacion, nuk i shkojnë pas histerisë së radhës, i shkojnë pas dijes, njohurisë, shërbimit, vetëmohimit,” nënvizoi Veliaj.
Nga ana e tij, profesor Kalo u shpreh i lumtur për këtë surprizë të veçantë në një ditë të rëndësishme për të. “Është një surprizë dhe kënaqësi e veçantë, një dhuratë nga i pari i qytetit. Tirana është rritur tashmë, pothuajse pjesa më e madhe e Republikës jeton këtu. Me përmasat e rritjes po i ngjan një Athine, e cila përfaqëson 2/3 e gjithë Greqisë. Unë si mjek i jam përkushtuar këtij profesioni sepse kuptoj që bashkëqytetarët e mi kanë nevojë për njerëz që më shumë i kushtohen misionit, sesa pasionit. Misioni e kompenson dhe pasionin, dhe sidomos mjeku duhet të jetë misionar para se t’i nënshtrohet etheve të pasionit. Unë jam pak idealist, kam mbetur i tillë dhe besoj se do të mbetem i tillë. Faleminderit shumë” u shpreh Kalo.
Profesor Tritan Kalo prej afro 40 vitesh shërben si mjek infeksionist në Spitalin e Sëmundjeve Infektive, QSU “Nënë Tereza”.