Botuesi i gazetës “Koha Jonë”, Nikoll Lesi, ka dhënë një intervisë për Ylli Rakipin në emisionin “Të Paekspozuarit”.
Lesi foli për një episod në spital, pasi ishte rrahur Edi Rama në vitin 97’, për shkak se bënte shkrime kritike ndaj Sali Berishës.
Ai tregoi momentin kur agjentë të SHIK-ut i jepnin porosi doktorëve, që Ramës të mos i bëheshin mjekime dhe të vdiste.
Nikoll Lesi: Rama ka histori të bukur te “Koha Jonë”. Rama ishte në Paris dhe vinte bënte shkrime. Më vjen mua te rruga e Durrësit, kemi patur redaksinë atje, kishim bërë një si punë kafeneje për punonjësit.
Menduam me Sandrin, meqenëse gazetarët punojnë nga mëngjesi deri në darkë, me makinë shkrimi, ishte torturë…
Duke punuar te kafja, vjen Edi Rama, kishte vënë një vath në vesh. I them Dorit të madh, kush është ky? Ky është Edi Rama, më tha.
Filloi shkrimet e para. Kur shkruante Edi Rama dhe Dritëro Agolli, tirazhi ishte i jashtëzakonshëm. I kishte shkrimet shumë të hidhura për Saliun e parë.
Penën e kishte perlë, nuk e them se është kryeministër sot. Por, kur shkruante Rama kishte tirazh të madh.
Njëherë që e goditën me levë në 97’, ky po bënte një cikël shkrimesh, që ishin bombë. Kur na lajmërojnë që kanë goditur Edi Ramën.
Kishte Martini një benz të bardhë, që herë ecte, herë nuk merrte marshet. Shkuam te spitali, vjen edhe Ben Blushi, aty gjejmë ata të SHIK-ut.
Na thoshin doktorët në vesh, na kanë urdhëruar të mos i bëjmë gjilpërën e tetanozit.
Ylli Rakipi: Që të vdiste?
Nikoll Lesi: Që të vdiste po.
Ylli Rakipi: Nuk po bën shaka ti këtu?
Nikoll Lesi: Ke Martin Lekën gjallë dhe Ben Blushin. Kërkuam natën gjithandej. Martini njihjte një farmaciste, morëm ilaçin e çuam në spital. Kur hymë brenda, ata të SHIK-ut, njëri nga ata që dogji redaksinë, nga ata tropojanët, mos i bëni tha, le të vdesë qeni!
Rama ishte gjithë gjak.
Rama vijoi ciklin e shkrimeve te “Koha Jonë”. Kur erdhi ministër Kulture në 98’, ne i bëmë shkrimin e parë kritik. U nxeh Edi Rama, tmerr. Mori në telefon, tha Niko ç’është kjo punë…?