Ai u emërua Kancelar i Britanisë së Madhe menjëherë pas shkundjes që pësoi qeveria e Brois Johnson dhe e përdori autoritetin e tij për t’i ngulur thikën pas shpine kryeministrit që i besonte, teksa këtij të fundit i kërkohej dorëheqja.
Bëhet fjalë për Nadhim Zahawi, një emigrant kurdo-irakian që shkoi në Britani në moshën 9-vjeçare dhe është shembull për suksesin e të rinjve me startup-et e tyre, teksa krijimi i YouGov e katapultoi në listën e më të pasurve në ishull.
Aspiratat për të janë të mëdha dhe pasi ka kaluar në disa poste ministrore dhe është deputet në Westminster prej 2010, Zahawi ka komnfirmuar edhe hyrjen në garën për postin e kryeministrit dhe liderit të ri të partisë Konservatore.
Por shpresat e tij për të drejtuar Britaninë e Madhe u tronditën në fund të javës që lamë pas, pasi ka pasur pretendime se HM Revenue & Customs po heton Zahawi pasi nëpunësit civilë ngritën një ‘flamur’ të kuq për mospagim të taksave nga kompanitë e tij.
Kancelari i ri megjithatë i ka marrë me sportivitet akuzat duke u përpjekur gjithashtu që të kthejë vëmendjen nga figura e tij si një biznesmen i pastër dhe pa probleme me ligjin, duke u zotuar se do të publikonte deklaratën e tij tatimore çdo vit nëse oferta e tij për udhëheqjen e konservatorëve ishte e suksesshme.
Zahawi, i cili themeloi firmën e sondazheve YouGov dhe besohet të ketë vlerë rreth 100 milionë paund tha gjithashtu se nuk do të “kërkojë falje për faktin se është një biznesmen i suksesshëm”.
Ai gjithashtu refuzoi të jepte shifrën e pasurisë së tij personale duke thënë se “ndoshta do ta kishte gabim” dhe “këto gjëra lëvizin me ndryshime në vlerat e investimeve”.
“Ata janë duke më njollosur qartë figurën. Më thanë se Zyra e Mashtrimeve të Rënda, Agjencia Kombëtare e Krimit dhe HMRC më kishin vënë syrin. Unë nuk jam në dijeni për këtë. Unë gjithmonë kam dorëzuar taksat e mia dhe kam paguar taksat e mia në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Zahawi për Sky News.
Ai gjithashtu theksoi se do t’i përgjigjet çdo pyetjeje që HMRC ka për të.
“Por unë do të shkoj më tej. Unë do të angazhohem që nëse jam kryeministër, mendoj se gjëja e duhur për të bërë është të publikoj llogaritë e mia çdo vit. Unë kam qenë rezident i vetëm një vendi që kur mbërrita në Mbretërinë e Bashkuar si 11 vjeç kurrë nuk kam kërkuar status tatimor në asnjë vend tjetër përveçse këtu. Nuk kërkoj falje që jam një biznesmen i suksesshëm. Unë jam përfituesi i ëndrrës britanike dhe e di këtë. Kam bërë mirë duke investuar këtu dhe mendoj se kjo është diçka që duhet festuar. Unë dua që të gjithë të kenë mundësinë për të qenë të suksesshëm”, nënvizoi kancelari.