Pas dosjes ku rezulton se Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, kryeministri Edi Rama ka mbështetur kërkesën e Autoritetit të Dosjeve që Kuvendi të votojë ndryshimet e kërkuara për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë që të verifikohen politikanët që dolën në të pastër në Komisionet në vitet ’90. Sipas tij, politika duhet të verë në dispozicion mjetin e kërkuar ligjor mbi dosjet e ish Sigurimit të Shtetit Rama shtoi se edhe Kuvendi duhet të diskutojë mbi idenë e hedhur që edhe spiunët e Sigurimit të kthehen në subjekte të Ligjit për Pastërtinë e Figurës së të Zgjedhurve.
“Por sigurisht, kjo historia e shpifur e njeriut me iniciale I.M, nuk mund të jetë dhe nuk do ta lejojmë të bëhet si bishti i skiles, ku ca thonë e lagu ca thonë s’e lagu e çudia tre ditë zgjat. Jo! Këtë histori nuk i takon politikës ta ndajë, po vetëm Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Politika thjesht duhet të verë në dispozicion të atij Autoriteti mjetin e kërkuar ligjor, duke votuar në Kuvend ndryshimet e kërkuara nga vetë Autoriteti. Me ato ndryshime i hapet rruga një hetimi të plotë mbi aktivitetin e bashkëpunëtorit me inicialet I.M në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Dhe kjo duhet jo vetëm për këtë bashkëpunëtor, po edhe për të tjerë me iniciale të tjera, të cilët deri më sot e kanë fshehur identitetin e tyre, pas klauzolës së privilegjit që u ka krijuar kontrolli kaotik e politik i viteve ’90. Nga ana tjetër po, patjetër, Kuvendi duhet të diskutojë mbi idenë e hedhur që edhe spiunët e Sigurimit të kthehen në subjekte të Ligjit për Pastërtinë e Figurës së të Zgjedhurve (i quajtur ndryshe Ligji i Dekriminalizimit).
Historia e kësaj thele mbi bishtin e gjatë e të neveritshëm të Sigurimit të Shtetit është sa befasuese dhe e trishtë në shëmtinë e saj, aq edhe motivuese për një reagim konstruktiv ndaj të shkuarës, përmes institucioneve të shtetit demokratik. Mbase pak e gjatë për ditë të shtune, po kaq deri në shtator për këtë temë”, shkroi Rama.