Ronaldo është gjithnjë e më pranë Chelsea-t. Portugezi dëshiron me çdo kusht të luajë në Champions League dhe Manchester United nuk ia ofron këtë mundësi, ndaj palët mund të ndahen vetëm një vit pas rikthimit të CR7-ës në “Old Trafford”.
Ndonëse “djajtë e kuq” kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri, Ronaldo nuk është bashkuar akoma me grupin e Ten Haag, ndërsa mediat angleze janë të bindura që portugezi do të rikthehet në Angli, por këtë herë me destinacion Londrën.
Chelsea është skuadra e vetme që mund të kënaqë pretendimet e Ronaldos dhe sipas mediave britanike, Todd Boehly po studion një ofertë prej 15 milionë eurosh për Manchester United dhe një kontratë dy vjeçare, me pagë 16 milionë euro në sezon për Cristiano Ronaldon.
Negociatat mes palëve janë në fazë të avancuar dhe gjasat janë që të ketë “tym të bardhë” para 15 korrikut, me Ronaldon që do të fluturonte menjëherë drejt Londrës, për t’u vënë nën urdhrat e Thomas Tuchel.