E sotmja është një festë shumë e rëndësishme për besimtarët myslimanë, kremtimi i Kurban Bajramit. Mijëra besimtarë myslimanë falën Kurban Bajramin mëngjesin e sotëm në sheshin ‘Skëndërbej’ në Tiranë, ndërkohë që mijëra të tjerë pothuajse në të gjitha xhamitë e vendit. Falja ka nisur në orën 06:05. Kujtojmë se dje në urimin e tij për të gjithë shqiptarët, kreu i KMSH, Bujar Spahu i bëri thirrje besimtarëve që kush ka mundësi le të presë Kurban.

“Silluni mire me njëri-tjetrin. Shtrini dorën e vëllazërmit ndërmjet jush. Duajeni njëri-tjetrin për hir të Zotit. Jini mbështetje për të varfrit. Bëhuni inkurajues për të sëmurët, dhe rrezatoni shpresë e gëzim te fëmijët. ‘As gjaku e as mishi i kurbaneve tuaja nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin devotshmëria juaj’, thotë Zoti. Ky Bajram na jep mesazhin që për të arritur pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit, është i nevojshëm sinqeriteti dhe devotshmëria. E lusim Zotin të na i pranojë kurbanet, adhurimin dhe lutjet tona! E lusim Zotin për paqe e prosperitet në vendin tonë dhe mbarë njerëzimin! Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja! Gëzuar Kurban Bajramin! H. Bujar Spahiu Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë’– shkroi ai në Facebook.

Festa e Kurban Bajramit është një nga dy ditët më të rëndësishme në kalendarin e besimtarëve muslimanë bashkë me Fiter Bajramin. Kjo e fundit, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij, Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.

Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayramë, që do të thotë “Festa e Flijimit”. Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit. Po t’a përmbledhim me pak fjalë Kurban Bajrami është festa e mposhtjes së egos sonë, mposhtjen e nepsit që gjithmonë kërkon të jetë para.