Më 7 korrik 2022, Boris Johnson njoftoi dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Britanisë, pas kërkesës së kolegëve dhe ligjvënësve të Partisë Konservatore. Ai është i treti kryeministër në radhët e konservatorëve që jep dorëheqjen në mes të mandatit, njësoj siç më herët kish ndodhur me paraardhësit e tij, Theresa May dhe David Cameron.
Margaret Thatcher
Kanë kaluar më se 40 vjet që kur “Gruaja e Hekurt” Margaret Thatcher u zgjodh gruaja e parë kryeministre, duke mposhtur kështu parashikimin e saj të errët, se asnjë kurrë, nuk do të fitojë kurrë punë të rëndësishme. Thatcher, e cila ishte kryeministrja më jetë-gjatë britanike në më shumë se një shekull, thoshte se tregu i lirë në kapitalizëm ishte i vetmi ilaç për të shëruar ekonominë e brishtë të vendit, sidomos pas bllokut sovjetik. Opozita e fortë e luftarake e Thatcher për një integrim më të madh e më të gjerë europian, rrëmbeu jo vetëm aleatët e saj në Europë por edhe vetë ministrat e kabinetit të saj. Brenda pak javësh të tensionuara në fund të vitit 1990, Thatcher ra nga pushteti, pasi disa nga ministrat kyç të saj i dolën kundër, në atë që vetë ajo më vonë, e quajti “tradhti”.
“Zonja dhe zotërinj, ne po largohemi nga Downing Street, për herë të parë pas 11 vitesh e gjysmë, vite të mrekullueshme dhe jemi shumë të lumtur që po e lëmë Mbretërinë Bashkuar në një gjendje shumë më të mirë nga sa e gjetëm kur erdhëm 11 vjet e gjysmë më parë. Tani, është koha për të hapur një kapitull të ri dhe i uroj John Major të gjithë fatin e botës. Ai do t’i shërbejë vendit më së miri dhe do të jetë një kryeministër i jashtëzakonshëm. Ju falënderoj të gjithëve. Faleminderit”
John Major
Pasuesi i Thatcher, John Major, shërbeu si kryeministër në vitet 1990-1997. Detyra e tij në krye të qeverisë u rrënua nga mosmarrëveshjet brenda partisë së tij, mbi Europën, përfshirë këtu edhe tërheqjen, që u pa si poshtëruese, të Britanisë nga Mekanizmi Europian i kursit të këmbimit, paraardhësi i monedhës së përbashkët, në vitin 1992. Major e humbi postin pasi u mund në zgjedhje nga Tony Blair, duke i dhënë fund kësisoj udhëheqjes nga konservatorët për 18 vite rresht, humbje që u pasua nga dorëheqja e tij e menjëhershme edhe nga posti i liderit të partisë. Gazetat britanike dolën në atë kohë, fill pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve me kryeartikullin “Masakra”.
Në daljen e tij të fundit nga Downing Street si kryeministër, Major falënderoi administratën e tij, teksa fill pas kësaj, njoftoi dorëheqjen edhe si lider i partisë Konservatore. “Kur perdja bie, është koha për të dalë në skenë dhe kjo është ajo që unë mendoj të bëj. Kështu që në vijim do të këshilloj kolegët e mi parlamentarë se unë besoj që do të ishte e përshtatshme për ta, që të konsiderojnë edhe zgjedhjen e një lideri të ri të partisë konservatore, për të drejtuar e udhëhequr partinë në opozitë, në vitet që na presin përpara”.
Tony Blair
Më 2 maj 1997, Tony Blair u bë kryeministri më i ri në moshë i Britanisë së Madhe që prej vitit 1812. Ai u kritikua gjerësisht se e transformoi imazhin e Britanisë së qëndrueshme në Britaninë moderne, duke e portretizuar veten jo vetëm si një pop star të Downging Street por edhe si burri me këmbë në tokë e një njeri familjar. Shumë shpejt pas marrjes së detyrës, qeveria e tij përkrahu atë që Blair e quajti ndërhyrje humanitare, duke bërë thirrje për një dimension etik të politikës së jashtme. Në mars 1999, fushata ushtarake e NATO-s kundër agresionit serb në Kosovë, erdhi kryesisht pas vendosmërisë edhe të Tony Blair, që këmbënguli në një ndërhyrje të NATO-s.
Pak më shumë se 1 viti në krye të qeverisë, në prill 1998, Blair shënoi një fitore të rëndësishme politike, pas arritjes së marrëveshjes së mirë me Irlandën e Veriut, duke i hapur rrugën qeverisë së transferuar në Irlandën e Veriut. Lidershipi i Blair, që u shoqërua me një sukses ekonomik dhe një erë të re në shërbimin shëndetësor, u zbeh nga çështja e Irakut.
Lufta në Irak ishte pika më e ulët dhe momenti më i keq i drejtimit të qeverisë nga Tony Blair, me 58% të popullit britanik që e gjykonte atë moment, si dështimi i Blair, thuajse 2/3 e popullit mendonte se Blair thjesht ndoqi Amerikën. Përpos sondazheve, Blair qëndroi deri në fund i pa penduar për vendimin e tij për të shkuar në luftë në Irak. Tony Blair u largua nga Downging Street bashkë me bashkëshorten e tij, pasi pozoi, edhe me fëmijët, për herë të fundit për një foto zyrtare. Mediat publikuan më pas kryeartikullin: “Mirupafshim. Nuk mendoj se do na mungoni”.
David Cameron
David Cameron i dha fund karrierës së tij politike, vetëm disa javë pasi humbi në referendumin për të qëndruar në Bashkimin Europian, duke shmangur kështu që ai vetë të ishte “Një hutim”. Cameron, që erdhi në pushtet në vitin 2010, dha dorëheqjen si lider i partisë në 2016, pasi 52% e britanikëve injoruan thirrjet e tij dhe votuan pro daljes nga BE, duke thënë se vendi kishte nevojë tani për një lidership të ri e të freskët, për të negociuuar termat e “Brexit”.
Pasi dështoi që të fitonte mazhorancën në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2010, Partia Konservatore e drejtuar nga vetë Cameron, kaloi 5 vite të vështira në koalicion qeveritar me liberal-demokratët. Politika e jashtme nën qeverinë Cameron përfshiu edhe nisjen e tërheqjes së trupave britanike nga Afganistani, me kryeministrin që vizitonte shpeshherë ushtrinë e tij në Camp Bastion, bazën britanike në provincën me shumë telashe, Helmand. Edhe pse qëndroi në detyrë pavarësisht se kish humbur në referendumin për të dalë nga BE, Cameron dha dorëheqjen më 24 qershor, duke lënë në detyrë vetëm Theresa May.
Theresa May
Në fjalimin e saj të parë në korrik 2016 si kryeministre, Theresa May u shfaq në Douning Street me premtimin se do të luftonte për të shtypur padrejtësitë. Ajo premtoi një vend, që do të punonte për këdo por shumë shpejt do ta gjente veten mes turbullirave e vëhstirësive, me Brexit. Në janar 2017, një Theresa May triumfuese ishte portreti i britanikes Daily Mail, me kryeartikullin “Çeliku i Zonjës së Re të Hekurt”.
Edhe pse ruajti imazhin e zonjës së hekurt, May humbi shumicën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të thirrura për në qershor të 2017. Edhe njëherë ai premtoi një qeveri të fortë e të qëndrueshme por autoriteti i saj ishte drejt shkatërrimit. Në janar 2019, ligjvënësit rrëzuan me votë marrëveshjen e divorcit të Londrës me Brukselin, me rezultatin më të keq të shënuar ndonjëherë në historinë e Britanisë moderne. Lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, bëri thirrje për një votëbesim për qeverinë May, të cilës ajo i shpëtoi, duke fituar me 63% të votave. May premtoi edhe njëherë një marrëveshje të re për Brexit, që po ashtu u rrëzua nga ligjvënësit konservatorë por edhe partia opozitare e punës. Me lot në sy, më 24 maj, 2019, Theresa May njoftoi dorëheqjen për shkak se dështoi të arrijë një marrëveshje për Brexit.
Boris Johnson
Boris Johnson erdhi në pushtet në vitin 2019, me premtimin se do të çonte deri në fund Brexit e do të arrinte marrëveshjen më të mirë të divorcit, për britanikët. Por shumë shpejt u përball me akuza, se nuk dinte të merrej me detaje teksa reputacioni i tij si lider ishte në fije të perit. Por nga ajo kohë, konservatorët ditën ta mbështesin ish kryebashkiakun e Londrës e ish gazetarin ndërsa të tjerë e godisnin drejtpërdrejtë, madje me shumë entuziazëm.
Johnson arriti të marrë votën edhe të atyre që tradicionalisht e refuzonin partinë konservatore dhe këtë e tentoi në zgjedhjet e dhjetorit 2019.
Ai e drejtoi qeverinë në mënyrë luftarake, shpeshherë edhe kaotike, pas një serie skandalesh që lodhën edhe dëshirën më të mirë të ligjvënësve të tij, për të kryesuar në sondazhe, që po tregonin gjithnjë e më shumë, se publiku, tashmë në shumicë, nuk e shihte më me të njëjtin sy si në fillim.
Johnson e drejtoi qeverinë në periudha jo të lehta e aspak të zakonta, së pari pas skandaleve për jetën e tij që nisën të publikohen kudo por edhe hapave të gabuar e të nxituar në jo pak raste, përfshirë këtu për një festë që ai kish organizuar në oborrin e zyrës së tij në Downging Street kur pandemia Covid-19 sapo kish nisur, e bashkë me të kishin hyrë në fuqi rregullat anti-covid, që ndalonin grumbullimet, por kjo nuk e ndaloi Boris Johnson që të organizonte një festë me rastin e 56 vjetorit të lindjes.
Kritikat vijuan edhe përtej pandemisë, sidomos kur qeveria nuk arriti të vërë nën kontroll inflacionin, me britanikët që nisën të ndjejnë rritjen e çmimeve, të ushqimeve por edhe karburanteve. Në fjalimin e tij të dorëheqjes më 7 korrik, Johnson foli për sukseset e qeverisë së drejtuar prej tij, mes të cilave përballja me covid-19, me Britaninë vendin e parë në botë që iu përgjigj koronavirusit me vaksinën. Sukses quajti edhe reagimin e Londrës zyrtare për luftën në Ukrainë.